Presidenti i Serbisë, Boris Tadic do të tentojë që në takimet me liderët botërorë në Nju Jork, të marrë mbështetje që problemi për pikat kufitare me Kosovën të zgjidhet duke aplikuar planin e Ban Ki Moon të vitit 2008.

Aplikimi i këtij plani, sipas qarqeve politike serbe, është një tentativë që bashkësia ndërkombëtare të pranojë se “veriu është i vecantë” dhe se për të mund të nisnin edhe bisedime për autonomi apo ndarje.

E përditshmja “Blic” shkruan se, Tadic pret të takohet me zyrtarët më të lartë të SHBA, Rusisë dhe BE-së, për të marrë nga ata mbështetje për qëndrimet e Beogradit.

Vec tentativës që situata në veriun e Kosovës të zgjidhet në dobi të serbëve, që nënkupton largimin e doganierëve dhe policëve të Kosovës nga Bërnjaku dhe Jarinja, presidenti do të përpiqet të hapë edhe rrugën e bisedimeve për këtë zonë.

Tadic ka kohë që synon ndarjen e Kosovës, synim për të cilin disa muaj më parë ai iu drejtua me një mesazh edhe Tiranës zyrtare, për ndarjen e territoreve.

Ndërkohë që propozimi më i fundit për veriun e shtetit të ri të Evropës e bëri më herët gjatë muajit shefi i ICO-së, Piter Feith, i cili propozoi modelin e Katalonjës në Spanjë.

Ndërkohë, nga Prishtina zyrtare propozimet në fjalë janë konsideruar si të papranueshme, pasi sipas qeverisë kosovare për veriun mjafton plani i Ahtisarit.

Top Channel