Që prej 6 ditësh, ndonëse Serbia ka pranuar vulat doganore të Kosovës, bizneset kosovare nuk po eksportojnë dot prodhimet e tyre në Serbi, meqë kjo e fundit nuk e lejon një gjë të tillë.

Në këtë situatë, janë vetëm mallrat serbe që mund të hyjnë në Kosovë. Rreth 500 kamionë me mallra me origjinë serbe kanë hyrë në Kosovë që nga 16 shtatori, kur institucionet e Kosovës hoqën masën e reciprocitetit ekonomik pas marrëveshjes së vulave në Bruksel.

Rrahim Deda është shofer kamioni. Ai po eksportonte luledielli gjatë së enjtes, mirëpo u kthye mbrapsht për në Kosovë, nga ana e policisë kufitare të Serbisë. Atij i kërkuan dokumente të strukturave paralele serbe, të cilat funksionojnë në Kosovë në mënyrë ilegale.

“Nuk kisha dokumentat, më thanë se duhet të kthehesha. Nuk shkoja dot më tej dhe u ktheva”, tregon Deda.

Të ndodhur në gjendje të tillë, bizneset kosovare kërkojnë nga faktori ndërkombëtar që të bëhet më shumë presion ndaj Serbisë, në mënyrë që të pranojë mallrat nga Kosova, ashtu siç ishin pajtuar në Bruksel. Nëtë kundërtën, ata kërkojnë nga qeveria që të rikthejë masat e reciprocitetit.

“Reciprociteti i dyanshëm duhet të respektohet. Aleanca e Biznesit kërkon rikthimin e këtyre masave”, deklaron Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Në anën tjetër, zyrtarët qeveritarë deklarojnë se janë duke pritur dhe në rast se nuk lejohet kalimi i mallrave të Kosovës në Serbi, atëherë rikthimi i reciprocitetit do të jetë çështje ditësh e jo javësh.

Në një lidhje të drejtëpërdrejtë nga Prishtina, me emisionin Top Show në Top Channel, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari Lila ripërsëriti faktin se në këtë situatë masat reciproke do të rikthehen shumë shpejt, ndërkohë që pranoi disa fakte.

“Ka statistika që variojnë, por duhet të konfirmohen. Parashikohet që prodhimi dhe konsumi ushqimor të jetë rritur me 30 për qind. Pra, ka pasur një impakt pozitiv të lëvizjes së mallrave serbe tek vendet e tjera”, deklaroi Lila.

Ndërsa në lidhje me pengesën e eksportit drejt Serbisë, ministrja pranoi se moszbatimi ende i marrëveshjes së targave i arritur kohë më parë në Bruksel, i ndalon kamionët e Kosovës që të hyjnë në Serbi. 

Top Channel