Delegacioni kosovar në Nju Jork ka vijuar takimet me zyrtarë të lartë dhe ish-presonalitete të tjera, të njohur për kontributin e tyre për Kosovën.

Kështu, presidentja Atifete Jahjaga, pas takimit me sekretaren aktuale të Shtetit Hillary Clinton, është takuar me ushtruesen e dikurshme të kësaj detyre, Madeleine Albright.

Sipas mediave kosovare, gjatë takimit Jahjaga ka informuar zonjën Albright me punën e bërë nga shteti i Kosovës në këto vite pavarësi, si dhe me synimet e tij për përfshirjen në Partneritetin e Paqes dhe më pas integrimin në NATO e BE.

“Kosova ka nevojë të vendosë marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe NATO-n, si mënyra më e mirë për ndërmarrjen e reformave dhe konsolidimin e demokracisë”, ka thënë Jahjaga.

Nga ana e saj, Albright ka vlerësuar lidershipin e zonjës Jahjaga, si dhe ka shprehur përkrahjen e saj për rrugën e Kosovës në integrimet evropiane.

“Vendet e Ballkanit perëndimor janë e vetmja pjesë që mungojnë për të përmbushur vizionin për një Evropë të bashkuar dhe të lirë”, është shprehur Albright.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaci është takuar me ish-negociatorin amerikan në cështjen e statusit, Frank Wisner, si dhe ish-gjeneralin amerikan të NATO-s, Wesley Clark.

“Republika e Kosovës është një histori suksesi dhe në këtë sukses SHBA kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një rol thelbësor”, u tha Thaci dy bashkëbiseduesve.

Ndërsa zoti Wisner dhe gjenerali Clark, nga ana e tyre, vlerësuan ecurinë e Kosovës në këto vite pavarësi dhe rikonfirmuan mbështetjen e mëtejshme të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel