Në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicën e Veriut jetojnë mbi 60 familje shqiptare. Banorët e zonës ankohen për mungesë të ushqimeve, mungesë të qarkullimit dhe mungesë të shërbimit mjekësor.

Shtëpia e familjes Kelmendi në lagjen “Kodra e Minatorëve” është shtëpia e fundit shqiptare në këtë lagje. Në të gjitha anët e saj kjo shtëpi është e rrethuar nga serbët.  Tashmë, janë bërë 10 ditë që asnjë nga anëtarët e kësaj familje nuk ka mundur që të dalë në qytet. Përveç frikës që është bërë tashmë e pashmangshme, banorët e zonës ankohen për mungesë të ushqimit.

Për më tepër fëmijët e kësaj familje kanë më shumë se dhjetë ditë që nuk vijojnë shkollën. Edhe qytetarët boshnjak ankohen për mungesë të ushqimit. Ndërkohë thonë që banorëve të kësaj zone iu pamundësohet liria e lëvizjes nga qytetarët serbë.

“Ne nuk kemi liri  lëvizjeje. Jemi si në një burg shtëpiak. Veç tjerash këtu mungon ushqimi, mungon transporti, mungon mjeku dhe mungon çdo gjë tjetër. Komuna e Mitrovicës na ka hequr  ndihmat sociale. Policia nuk po na ofron siguri të lëvizim. Këtu jemi të rrethuar nga serbët. Thjesht jemi si në një burg shtëpiak”, thotë një banor boshnjak i Mitrovicës së Veriut.

Edhe ky qytetar serb i cili për shkaqe sigurie nuk deshi të identifikohet ankohej rëndë për bashkëkombësit e vetë. Duke I quajtur kriminelë ata që po bllokojnë qytetin ky qytetar serb thotë se, veprimet e tyre janë pa krye dhe veprime kriminale.

“Kjo nuk na con askund as neve dhe as ju shqiptarët. Na u shkatërrua jeta. Thjesht s’po na lënë rehat grupet kriminale. Asnjë qytetar normal nuk i dëshiron këto lloj veprimesh.Thjesht nuk po na lënë të qetë të jetojmë dhe t’i mbijetojmë brengave të mëdha ekonomike dhe sociale që kemi. Kështu nuk po shkojmë askund”, thotë qytetari serb.

Në anën tjetër, policia ka njoftuar se në Leposaviq një pjesëtar i policisë Kufitare i komunitet serb është sulmuar në shtëpinë e tij, Fatmirësisht policia iu ka shpëtuar të shtënave, ndërkohë lidhur me rastin janë arrestuar dy të rinj serb.

Top Channel