Serbët  e veriut të Kosovës duket se janë të vendosur që të mos lëvizin as një centimeter nga barrikadat që kanë bllokuar të gjitha rrugët që të çojnë në veri.

Në anën tjetër situata e sigurisë në veri tëKosovës të dielën ishte e qetë, por me tensione.

Agjencitë e lajmeve kanë raportuar se KFOR-i gjerman tashmë është duke u angazhuar që të sjellë në Kosovë dy autoblinda të cilët janë të specializuar për heqjen e barrikadave nga rrugët. Mirëpo ky lajm ende nuk është konfirmuar.

Ndërkohë, gjatë natës në rajonin e komunës së Zubin Potokut është raportuar për të shtëna me armë zjarri. Policia nuk ka arritur të kap ndonjë të dyshuar.

Shefi i delegacionit serb në bisedimet, Borko Stefanovic, i cili po viziton shpesh veriun këto ditë, citohet të ketë deklaruar se dialogu është mënyra e vetme që të zgjidhet kriza.

“Kërkojmë mundësinë që sa më parë të përgjigjet ndaj kërkesës sonë për të diskutuar rreth pikave kalimtare në Jarinjë dhe Bërnjak”, ka thënë ai.

Ndërkohë, kryenegociatorja kosovare në bisedime, Edita Tahiri e ka quajtur “politikë donkishoteske” atë që bën homologu i saj serb, Borko Stefanovic.

Në anën tjetër, sekretari shtetëror për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic ka deklaruar se Beogradi nuk guxon dhe nuk mund të jetë për politikën deri në Ibër dhe prej Ibrit, por të jetë consistent në tërë territorin e Kosovës.

Ivanovic është shprehur i habitur se pse janë aq pasivë serbët që jetojnë në jug të Kosovës. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që ata qartë dhe zëshëm të deklarohen dhe të tregojnë se çka mendojnë.  

Teksa edhe gjatë së dielës në veri ka qendruar ministri serb për Kosovën Goran Bogdanovic, të tilla vizita janë ilegale për Ministrin e  Brendshëm, Bajram Rexhepi dhe mund të cojnë deri në arrestime.

“Personat që hyjnë nëpërmjet rrugëve ilegalë janë ilegalë në Kosovë. Ne nuk kemi lëshuar urdhërarrest, por nëse takohemi me ta, mund të arrestohen. Nuk kemi synim të posacëm që të shkojmë t’i arrestojmë për ua kemi bërë me dije që kanë hyrë në mënyrë ilegale dhe mund të jenë objekt i arrestimit”, deklaron ministri Rexhepi.  

Megjithëse situata e sigurisë gjatë ditës së diel ishte e qetë, gjatë gjithë kohës monitorimi i situatës bëhej nga helikopterët e KFOR-it.  Po kështu forcat e sigurisë shiheshin në çdo cep të Mitrovicës.

Top Channel