Policia ka ndaluar tubimin e ultranacionalistëve në qytetin e Rashkës,
në kufij me Kosovën, afër pjesëve veriore. Në bazë të informacioneve
jozyrtare këtë tubim e ka udhëhequr Mirko Jovic, në emër Këshillit
Kombëtar serb.

Policia zyrtarisht ka njoftuar se ky tubim është ndaluar dhe nuk ka pasur leje për të për shkak se nuk është dorëzuar kërkesa në bazë të ligjit, e që thotë të njoftohet policia pesë dita para ngjarjes. Pjesëmarrësit e tubimit kanë pasur për qëllim të shkojnë në vendin Rudnicë në pikëkalimin kufitar, kurse burimet theksojnë se në këtë tubim është dashur të merr pjesë edhe ish-peshkopi Artemije, i cili u shkarkua dhe është në proces gjyqësorë për shkak të keqpërdorimit të fondeve.

Ndërkaq një ditë më parë policia serbe ka ndaluar përfaqësuesit e organizatës Obraz, e cila promovon ide shoviniste dhe që ishte nisur me deputetët radikal të Kuvendit të Serbisë drejt Kosovës për të mbështetur serbët e atjeshëm. Ndërsa në veri janë nisur edhe disa studentë të Beogradit, ndonëse ende nuk dihet si kanë hyrë në Kosovë.

Ndërkohë që mediat serbe ndërrojnë titujt në vazhdimësi duke theksuar se gjendja po tensionohet në veri, zyrtarët serbë kanë bërë thirrje për qetësi në këto zona.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic, ka bërë thirrje duke ftuar serbët për qetësi dhe që në mënyrë paqësore të mbrojnë interesat e tyre. Ai ka thënë se rreziku ekziston tashmë prej 12 vjetësh, por kjo nuk është Dita D pasi serbët kanë luftuar gjithmonë kundër veprimeve të njëanshme.

Bogdanovic ka thënë se Serbia në Kosovë nuk ka as ushtri, polici, por vetëm popullin e vendosur të mbrojë vendin në mënyrë të qetë.

Mediat serbe ende nuk kanë arritur ta qartësojnë nëse ka policë dhe doganier në pikëkalimet kufitare, ndonëse spekulohet vetëm për një. Radikalët dhe deputetët serb që janë nisur për të shkuar në veri nga Beogradi kanë thënë se janë përballur me tela me gjemba dhe me barrikada e ushtarët e KFOR-it në veri dhe nuk kanë mundur të futen fillimisht atje. Por, më pas ata janë futur nëpër rrugë alternative, përkatësisht nga malet për rreth.

Ndërkohë një delegacion i partisë radikale serbe me në krye Dragan Todoreviç hyri në Kosovë përmes Jarinjës, duke kërkuar që serbët të sigurojnë mbështetjen e Kinës e Rusisë për veriun

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, ka deklaruar se Serbia nuk mund të bëj asgjë për të ndaluar rrëmbimin e Kosovës. Sipas tij, kjo gjë është e qartë pasi këtë janë duke e bërë fuqitë e mëdha.

Top Channel