Ndërkohë që mediat serbe ndërrojnë titujt në vazhdimësi duke theksuar se
gjendja po tensionohet në veri, zyrtarët serbë kanë bërë thirrje për
qetësi në këto zona.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic, ka bërë thirrje duke ftuar serbët për qetësi dhe që në mënyrë paqësore të mbrojnë interesat e tyre. Ai ka thënë se rreziku ekziston tashmë prej 12 vjetësh, por kjo nuk është Dita D pasi serbët kanë luftuar gjithmonë kundër veprimeve të njëanshme.

Bogdanovic ka thënë se Serbia në Kosovë nuk ka as ushtri, polici, por vetëm popullin e vendosur të mbrojë vendin në mënyrë të qetë. Në Kosovë kanë shuar të gjithë. Edhe zyrtarët e Kishës, por edhe ata të qeverisë, nga negociatorët e deri te opozita dhe grupet ekstremiste të të rinjve dhe studentëve të Beogradit. Sekretari për Kosovën, Olliver Ivanovic, ka thënë se mbështetja që bashkësia ndërkombëtare i ka bërë veprimeve të Prishtinës, e përkeqëson situatën dhe i komprometon organizatat ndërkombëtare pasi ato duhej të ishin neutrale.

Mediat serbe ende nuk kanë arritur ta qartësojnë nëse ka policë dhe doganier në pikëkalimet kufitare, ndonëse spekulohet vetëm për një. Radikalët dhe deputetët serb që janë nisur për të shkuar në veri nga Beogradi kanë thënë se janë përballur me tela me gjemba dhe me barrikada e ushtarët e KFOR-it në veri dhe nuk kanë mundur të futen fillimisht atje. Por, më pas ata janë futur nëpër rrugë alternative, përkatësisht nga malet për rreth.

Ndërkohë një delegacion i partisë radikale serbe me në krye Dragan Todoreviç hyri në Kosovë përmes Jarinjës, duke kërkuar që serbët të sigurojnë mbështetjen e Kinës e Rusisë për veriun

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik, ka deklaruar se Serbia nuk mund të bëj asgjë për të ndaluar rrëmbimin e Kosovës. Sipas tij, kjo gjë është e qartë pasi këtë janë duke e bërë fuqitë e mëdha.

Ultranacionalistët: Të shkojmë në Kosovë

Deputetët e Partisë Radikale të Serbisë së bashku me disa anëtarë të partisë dhe përfaqësues të grupeve ultra nacionaliste janë nisur drejt Kosovës për të mbështetur serbët në veri dhe ata në barrikadat e vendosura.

Deputetët radikal janë nisur në mënyrë të organizuar dhe së bashku me ta janë nisur edhe Mlladen Obradovic, udhëheqës i grupit Obraz, një grup ultranacionalist i dyshuar në opinion si kryesues i grupeve huligane dhe nacionaliste për djegien e kryeqytetit serb disa herë gjatë viteve të fundit për shkak të situatës në Kosovë dhe po ashtu të ambasadave gjatë shpalljes së pavarësisë.

Dragan Todorovic, shef i grupit parlamentar të radikalëve, ka deklaruar se nuk do të futen në konflikt me pjesëtarët e KFOR-it në rast se hyrja e tyre në Kosovë pamundësohet.Vizitën e tyre në Kosovë e kanë premtuar grupe të ndryshme parlamentare nga opozita, ndërkaq Këshilli për Kosovën në Kuvendin e Serbisë ka deklaruar se do të mbaje mbledhjen e saj në pikëkalimet kufitare, ndonëse mund të mos jenë të gjithë. Gjatë tërë kohës mediat serbe kanë raportuar për serbët që qëndrojnë në barrikada gjatë tërë natës dhe qëndrimin e tyre për të mbrojtur vendin. Kjo, është konsideruar si dita D për Mitrovicën.

Top Channel