Pikat kufitare në Veri që e lidhin Kosovën me Serbinë, 1 në Jarinjë dhe
31 në Bërnjak, do të jenë si të gjitha pikat tjera doganore të Kosovës.

Kështu ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi në një mbledhje të Qeverisë e cila është mbajtur mesditen e se premtes, pas vendosjes se doganierëve dhe policëve të Kosovës në të dy portat kufitare.

“Ju njoftoj se sot në orët e mëngjesit ka filluar implementimi i planit operacional të Qeverisë së Kosovës për respektimin e marrëveshjes për vulat doganore në 1 dhe 31. Edhe pikat doganore 1 dhe 31 do të funksionojnë si të gjitha pikat tjera kufitare me rregullat e njëjta. Pra procesi i zbatimit të planit ka filluar me sukses në mëngjes. Doganierët dhe Policia e Kosovës bashkë me atë të EULEX dhe KFOR tashmë janë në dy pikat kufitare. Unë edhe njëherë i ftoj gjithë qytetarët për qetësi dhe maturi dhe të kenë besim të plotë në institucionet e Republikës së Kosovës, të kenë besim të plotë në partneritetin e institucioneve të Kosovës me ato ndërkombëtare”, tha Thaci.

Po ashtu, kryeministri ka ftuar Beogradin të heqë dorë nga përpjekjet dëshpëruese, duke kujtuar se Kosova është një dhe e pandashme. Deri më tani rrugët që çojnë në kalimet kufitare në Veri janë të bllokuara me mjete të ndryshme nga strukturat paralele të asaj pjese, ndërsa kryeministri nuk ka treguar se çka do të ndodhë me barrikadat, vetëm se ka thënë që ato janë pengesë për zhvillim dhe të ardhme europiane.

Kreu i Qeverisë së Kosovës i ka ftuar edhe një herë qytetarët që të veprojnë me maturi, ndërsa ka rikujtuar se veprimet e Qeverisë që mbështeten edhe nga ndërkombëtarët, nuk janë kundër ndonjë grupi etnik.

SHBA: Palët të ruajnë qetësinë

Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës, ku u zhvillua operacioni për vendosjen e rendit dhe ligjit.

“Jemi të shqetësuar për situatën atje. U bëjmë thirrje palëve të ruajnë qetësinë”, ka deklaruar zëdhënësi i DASH, Marc Toner.

Zëdhënësi ka theksuar se SHBA përshëndesin përpjekjet e KFOR-it dhe EULEX-it për ruajtjen e sigurisë dhe lëvizjen e lirë të mallrave mes Serbisë dhe Kosovës.

“Kjo lehtëson jetën e banorëve në të dy vendet. Shtetet e Bashkuara po i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Kosovë”, ka shtuar Toner.

OSBE: Siguria e qytetarëve, pa dallim etnie

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë apelon për qetësi në Kosovë. OSBE kërkon që palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të veprojnë me përgjegjësi.

“Cështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen në mënyrë të qetë dhe të përgjegjshme. Mbrojtja e njerëzve, pavarësisht përkatësisë etnike, të jetë prioritet”, thuhet në një reagim të OSBE

Helikopterët e KFOR mbikëqyrin veriun

Situata në veri është e qetë, por nën tension për shkak të kundërshtimeve mes palëve lidhur me operacionin.

Të vetmet lëvizje janë ato të helikopterëve që mbikëqyrin situatën nga lartë dhe transportojnë policët dhe doganierët.

Gjithësesi, lëvizja tokësore mbetet e vështirë, për shkak të bllokimit të rrugëve me zhavorr nga grupet serbe.

Zëdhënësi i policisë Besim Hoti ka deklaruar për Top Channel se aktualisht nuk ka një plan për zhbllokimin e rrugëve, për shmangien e tensionimit të situatës.

Por nuk përjashtohet mundësia që EULEX dhe KFOR të ndërmarrin një operacion për zhbllokimin e rrugëve. 

Pika 1 mbulohet nga zhavorri

Situata në veri të Kosovës nuk ka degraduar, por bien në sy shtimi i barrikadave të vendosura nga banorët e komunitetit serb.

Nga informacionet e fundit mësohet se pika kufitare numër 1 është bllokuar nga një barrierë zhavorri dhe për rrjedhojë nga larg as që mund të shihet.

Autoritetet kosovare janë të bindura se grupet serbe që kanë vendosur këto barrikada mbështeten nga drejtuesit e partisë radikale serbe.

Ndërkohë, në urën mbi lumin Ibër grupet e njerëzve që ishin më parë janë shpërndarë dhe lëvizja është normalizuar.

Ndërsa më e kufizuar lëvizja është për shqiptarët, e sugjeruar nga policia për arsye sigurie, duke qenë se zona dominohet nga serbët. Të angazhuara për sigurinë janë edhe trupat e KFOR dhe EULEX.


Operacioni pa incidente

Doganierët kosovarë më në fund janë vendosur në dy pikat kufitare ne veri. Dërgimi i doganierëve dhe policëve kosovare nga ana e Eulex dhe KFOR-it është bërë nga ajri me ndihmën e helikopterëve, per te shmangur konfrontimet me banoret serbe qe nderkohe kishin bllokuar rruget.

KFOR-i është vënë në gjendje gatishmërie në Bërnjak dhe Jarinje. Nga ana tjetër, struktura kriminale serbe të nxitur nga Beogradi, kanë ngritur barrikadat me qëllim të pengimit të vendosjes së rendit dhe të ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Serbët kanë bllokuar pikën kufitare në Jarinje pak kohë pasi KFOR-i mbylli atë vendkalim me tela me gjemba.

Mësohet se në barrikadat e KFOR-it janë vendosur mbishkrime në gjuhën serbe dhe në atë angleze: “STOP ose do t’ju qëllojmë”.

Gjithashtu, sipas RTK-së, janë vendosur reflektorë të fuqishëm në rrugët që çojnë në pikëkalimin në Jarinje, ndërkaq në prapavijë vërehen forca të shtuara të KFOR-it.

Ahmeti: Jo destabilizimit të Kosovës

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, pas nisjes së operacionit për shtrirjen e autoritetit në veri.

Ahmeti është shprehur kundër cdo përpjekjeje për destabilizimin e Kosovës, pasi sipas tij një gjë e tillë do të kishte pasoja fatale.

“Cdo  përpjekje për destabilizimin e Kosovës për BDI-në është e papranueshme për shkak të pasojave të rënda për të gjithë rajonin”, deklaroi Ahmeti pas një takimi me ambasadorin e OSBE-së në Shkup, Ralph Breth. 

Petrovic: Aksioni, jo kundër serbëve

Zëvendëskryeministri serb i Kosovës, Sllobodan Petrovic është përpjekur të qetësojë banorët serbë në veri, duke deklaruar se operacioni i policisë kosovare me KFOR dhe EULEX nuk është kundër tyre.

Petrovic është shprehur se prania e KFOR-it në veri është për të garantuar paqen dhe sigurinë e qytetarëve në këtë zonë.

“Për fat të keq gjithnjë ka njerëz që në këto situata mundohen të përfitojnë politikisht. Nuk duhet të lejojmë që qytetarët të manipulohen”, ka deklaruar Petrovic.

“Unë e kuptoj se si ndihen ata që jetojnë në veri. Jeta atje nuk është e lehtë, sic nuk është as në jug, por dua të apeloj për qetësi atje”, ka vijuar ai.

Eksponenti serb i qeverisë kosovare ka premtuar më tej se lidershipi kosovar do të bëjë gjithcka për qetësimin e situatës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës atje. 

Krasniqi: Aksioni në veri, i domosdoshëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se vendosja e policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat kufitare 1 dhe 31 është një domosdoshmëri.

“Operacioni është rezultat i vendosmërisë së qeverisë për zbatimit të planit të saj, në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

“Vendosja e ligjit, rendit dhe pushtetit në veri është e drejtë e patjetërsueshme, por edhe një detyrim kushtetues i institucioneve të Kosovës”, nënvizohet më tej në të.

Rexhepi: Operacioni, pa probleme

Ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se në pikat kufitare të veriut të Kosovës gjenden pjesëtarët e policisë dhe të doganës së Kosovës, bashkë me pjesëtarët e EULEX-it.

Rexhepi ka thënë se operacioni është zbatuar para orës 8 dhe se transferimi është kryer me helikopterë nga baza e KFOR-it në Leposavic.

“EULEX-i do të zbatojë pjesën operative të punës, ndërsa zyrtarët kosovarë do të kenë rol teknik”, tha Rexhepi.

Dodik: Serbia s’e kthen dot Kosovën

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik ka deklaruar se Serbia nuk mund ta kthejë Kosovën sërish në territorin e saj dhe ta integrojë atë.

Dodik, i njohur për prirjet e tij nacionaliste, ka theksuar se një gjë e tillë është një iluzion dhe ka shtuar se Beogradi duhet ta pranojë se një ditë policët serbë do vendosen në kufijtë e Kosovës.

“Serbia nuk do të ketë nga t’ia mbajë. Ajo ose do ta mbrojë territorin me armë, ose do të tërhiqet. Opsionin e parë nuk do ta rekomandoja, pasi dihet se ku shpie”, ka thënë Dodik për mediat serbe.

Deklarata e Dodik vjen në një moment të papritur, pasi për shkak të qëndrimeve të tija nacionaliste Bosnje e Hercegovina heziton të ndërmarrë njohjen e pavarësisë së Kosovës. 

Aksioni nisi pas mesnatës

Burime jozyrtare pohuan për Top Channel se rreth 20 minuta pas mesnatës nisi operacioni për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare, Jarinë dhe Bërnjak në veri të Kosovës.

Të njëjtat burime pohuan për korespondenten e Top Channel, Valdete Osmani se është zgjedhur kjo orë e pazakontë për të ndërhyrë në mënyrë që të shmangeshin grumbullimet e paralajmëruara nga serbët.

Mësohet se pika doganore numër 1 në Jarinë tashmë ndodhet nën kontrollin e trupave gjermane të KFOR-it të cilat kanë bllokuar totalisht qarkullimin nëpërmjet kësaj pike. Ndërkohë, në pikën 31, në Bërnjak, raportohen rreth 300 serbë të cilët e pengojnë ndërhyrjen e KFOR-it.

Në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës janë dëgjuar të shtëna armësh. Situata mbetet e nderë, por fatmirësisht deri më tani e pashoqëruar me incidente të rënda.

LDK mbështet operacionin

Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të pranisë ndërkombëtare për vënien nën kontroll të pikave kufitare në Veri të vendit.

Në një njoftim zyrtar, bën të ditur Telegraf, LDK kërkon nga institucionet që veprimet të jenë të koordinuara mirë dhe të shoqëruara me vendosmëri.

“Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron veprimet e sotme si veprime fillestare për të vënë rend dhe rregull në Veri. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se veprimet duhet të shtrihen në tërë pjesën veriore të vendit, me qëllim të vënies së sundimit të ligjit, të garantimit të lëvizjes së lirë dhe të kthimit të jetës normale për të gjithë qytetarët”, thonë përfaqësuesit e LDK-së.

Gjermania: Palët t’i shmangen konflikteve

Zëvendësministri i Jashtëm gjerman, Werner Hoyer, ka ftuar të gjitha palët në Kosovë që t’i kontribuojnë uljes të tensioneve dhe t’i shmangen rrethanave që mund të nxisin konflikt.

Hoyer ka thënë se fakti se “misioni evropian i drejtësisë, EULEX, ka marrë kontrollin e doganave, është hap i rëndësishëm për qarkullimin e lirë të mallrave dhe normalizimin e raporteve të Kosovës dhe Serbisë”.

Ai i fton palët të jenë të qeta, që të shmangen nga gjithçka që sjell konflikte.

Të shtëna armësh në Mitrovicë

Dita e parë e operacionit të Qeverisë së Prishtinës, KFOR-it dhe EULEX-it për marrjen nën kontroll të dy pikave doganore në veri të Kosovës është mbyllur me incidente të lehta në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

Sipas njoftimeve, serbët në veri të lumit Ibër që ndan qytetin, kanë vendosur sërish lëndë inerte mbi urën e këtij lumi. Raportohet se janë dëgjuar gjithashtu edhe të shtëna armësh zjarri si dhe janë hedhur gurë nga banorët serbë në drejtim të atyre shqiptarë në jug të qytetit.

Ndërkohë, i ashtuquajturi, sekretari i Ministrisë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve dhe qeverisë së Kosovës, u ka bërë apel serbëve të mos heqin barrikadat rrugore të vendosura në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.

Ndërsa rrugët për në dy pikat kufitare 1 dhe 31 mbeten të bllokuara nga mjetet e vendosura nga strukturat paralele serbe.

Top Channel