Tensionohet situata në Mitrovicë. Një ditë nga vënia në jetë e planit të qeverisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, plan ky i miratuar edhe nga ndërkombëtarët, banorët serbë në veri të qytetit kanë përshkallëzuar protestën.

Sic raporton agjencia e lajmeve, Kosovapress, banorët serbë këtë radhë kanë zhvendosur bllokadat e tyre më në jug, duke bllokuar urën mbi lumin Ibër, ura që lidh qytetin mes jugut të banuar me shqiptarë dhe veriut të banuar më së shumti me serbë.

Bllokimi i urës është raportuar pak pas mesnatës. Serbët fillimisht kanë shkatërruar kamerat e sigurisë që janë të vendosura në zonë për shkak të pikës strategjike të urës, që është shndërruar shpesh në “mejdan” të përleshjeve ndëretnike mes serbëve dhe shqiptarëve.

Agjencia Kosovapress thotë se në vendngjarje janë drejtuar forca të KFOR-it dhe të policisë.

Plani për fillimin e rifunksionalizimit të pikave doganore parashikohet të zbatohet nga data 16 shtator, në bazë të marrëveshjes Prishtinë–Beograd për njohjen e vulave të doganave.

Top Channel