Në Shkup është hapur sot procesi gjyqësor ndaj një prej figurave politike më të njohura të Maqedonisë, Lube Boshkovski.

Boshkovski akuzohet për financim ilegal të partisë së tij, “Të Bashkuar për Maqedoninë”, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e qershorit.

Sipas mediave lokale, ai dyshohet se në disa raste ka pranuar shuma parash nga një donator, pa i deklaruar ato në institucionet përkatëse.

Policia maqedonase e ndaloi Boshkovskin më 6 qershor, një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, dhe në makinën e tij gjeti 100 mijë euro të padeklaruara.

Prej tre muajsh politikani ndodhet në paraburgim në burgun e Shutkës, ndërkohë që partia e tij ka deklaruar se bëhet fjalë për një proces të montuar politikisht.

Top Channel