Edhe ky vit shkollor nuk ka nisur mbarë për nxënsit shqiptarë në Maqedoni. Në shkollën ‘Vllazërimi’ të komunën Karposh në Shkup, nxënësit shqiptarë për dy javë rresht po bojkotojnë mësimin për shkak se drejtoria e shkollës e përkrahur edhe nga drejtuesit e komunës po refuzon të hapë një paralele shtesë me mësim në gjuhën shqipe.

Drejtoria e shkollës nuk dëshiron që në këtë shkollë të mësojnë nxënës shqiptarë që vijnë nga fshatrat e komunës së afërme Saraj. Prindërit e nxënësve thonë se pa hapjen e paraleles së dytë nuk do të ndërpritet bojkoti. Ata dyshojnë se synimi kryesor i ngjarjeve në këtë shkollë është spastrimi i shqiptarëve nga kjo pjesë e Shkupit.

“Unë jetoj në lagje ku jetojnë maqedonas më tepër, aty nuk ka shkollë shqipe, ndërsa unë dua që fëmija im të mësojë në shqip. Për këtë e solla vajzën në komunën e Karposhit. Një djal e kam këtu në klasën e pestë ndërsa vajzën time nuk e pranojnë në klasën e parë. Këtu kushte ka, vetëm se nuk mund të mësohet, vetëm pse jemi shqiptarë”, thotë prindi Abil Neziri.

Lidhur me këto zhvillime ka reaguar opozita shqiptare e cila fajësoi pushtetin për situatën e rëndë në arsimin shqip në Maqedoni.

“Cdo vit shkollor nxënësit shqiptarë e nisin me protesta. Kjo jo sepse ata duan të protestojnë por sepse një makineri shtetërore dhe një bllok i tërë maqedonas pavarërisht se a është në opozitë apo pozitë po bëjnë politik për rritje retingjesh në kurriz të fëmijve të shqitparëve. është bërë traditë, prej kur është BDI-ja në pushtet cdo vitë shkollor të nisë me probleme”, deklaroi Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Zv/ministri shqiptar i Arsimit, Safet Neziri, refuzoi të përgjigjet se si ministria do t’i zgjidh problemet e nxënësve shqiptarë në Maqedoni.

Përvec nxënësve të shkollës ‘Vllazërimi’, me shumë probleme po ballafaqohen edhe nxënësit shqiptarë të disa shkolla në Kumanovë, Strugë e Tetovë.

Top Channel