EULEX zbuloi disa prej detajeve të aksionit që do të ndërmerret nesër në veri të Kosovës me qëllim zbatimin e marrëveshjes për vulat doganore e arritur më 2 shtator në Bruksel.

EULEX njofton se marrëveshja, e cila nuk ka të bëjë me statusin, ka për qëllim sundimin e ligjit në Kosovë.

Mungesa e funksionimit të sistemit doganorë në të gjithë territorin e Kosovës ka lejuar që aktivitetet ilegale të zhvillohet lirshëm, veçanërisht, por jo ekskluzivisht në veri të Kosovës.

Ndaj sipas misionit të BE-së nga nesër do të hapet Pika e Bërnjakut, ku do të lëvizin lirshëm njerëzit dhe mallrat, ndërsa deri sa të instalohet infrastruktura e duhur në Jarinjë, kjo pikë do të jetë e hapur vetëm për qarkullimin e njerëzve.

EULEX njofton se të gjitha mallrat komerciale që i nënshtrohen akcizës (si alkooli, cigaret dhe karburantet) duhet të zhdoganohen në pikën e Merdarës.

Operacionet doganore në këto pika do të kryhen nga doganierët e EULEX-it, në prezencë të doganierëve të Kosovës.

Top Channel