Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen do të vizitojë të enjten Kosovën, në përpjekje për të ulur tensionet në pikat kufitare në veri.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Aleancës, Carmen Romero, e cila ka deklaruar se Rasmussen do të takohet me kryeministrin Hashim Thaci, zëvendëskryeministrin serb Sllobodan Petrovic dhe ministrin e FSK-së, Agim Ceku.

“Sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të kërkojë që të gjitha palët të bashkëpunojnë, të ruajnë dialogun konstruktiv dhe të shmangin dhunën”, ka deklaruar zëdhënësja.

Ndërkohë, pas takimeve me autoritetet kosovare, Rasmussen do të takohet edhe me komandantin e ri të trupave të KFOR-it, gjeneralin Erhard Drews.

Njoftimi i qeverisë kosovare për zbatimin e planit për shtrirjen e autoritetit në veri ka bërë që në këtë zonë të Kosovës të lindin tensionet.

Në disa zona në veri të Mitrovicës, kryesisht në lagjen e boshnjakëve, ka lëvizje të banorëve serbë, të cilët kanë vendosur disa pengesa.

Plani operacional i Prishtinës zyrtare është përgatitur në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in dhe ka marrë mbështetjen e SHBA, Britanisë dhe Francës.

Ambasadori amerikan Christopher Dell e shprehu qëndrimin e tij pro operacionit të hënën, ndërsa ai francez Francois Fitou dhe ai britanik Jan Cliff u prononcuan të mërkurën, në takimet me zëvendëskryeministrat kosovarë Hajredin Kuci dhe Edita Tahiri.

Top Channel