Prishtina dhe Beogradi duket se po i mbledhin forcat rreth veriut të Kosovës. Teksa Prishtina zyrtare po bëhet gati për rikthimin nën kontroll të dy pikave kufitare në Mitrovicën e veriut, serbët lokalë tashmë po japin paralajmërimet për parandalimin e planit të Prishtinës.

Megjithëse të mërkurën gjendja e sigurisë dukej e qetë, mobilizimi i serbëve vërehej në të gjitha hyrje-daljet e rrugëve. Duket se plani i qeverisë së Prishtinës nuk do të jetë i lehtë për t’u zbatuar.

Në këto rrethana, studentët serbë, të cilët vijojnë mësimet në universitetin paralel në veri, dy ditë para se të mbaronin mësimin e rregullt ata riktheheshin me autobus drejt qendrave të tjera të Kosovës.

“Nuk jam nga këtu, por diçka po ndodh. Përfundova mësimin dhe po iki në shtëpi në Gjilan”, thotë një prej tyre.

“Nuk kam ç’farë të mendoj, le të mendojnë ata të cilët i kanë vendosur. Nuk kam ç’të komentoj më tepër”, shprehet një banor serb.

Ndërkohë, jashtë kamerës disa nga serbët deklaruan për TCH se në pjesën veriore kanë parë grupe të ndryshme njerëzish të cilët nuk jetojnë në Mitrovicë.

Finalizimi i marrëveshjes për të rivënë në funksionim dy pikat kufitare në veri të Mitrovicës duket se ka acaruar edhe më tepër serbët e Kosovës.

Për të penguar këtë, ata kanë vendosur rërë në disa rrugë dhe drunj në disa të tjera, me qëllim pengimin e doganierëve dhe policëve të Kosovës në drejtim të pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

“Kemi regjistruar dy pengesa në rrugë në veri të Mitrovicës. Është vendosur rërë dhe zhavorr, një në varrezat myslimane në veri dhe një tjetër mbi lagjen e boshnjakëve, në afërsi të shkollës teknike”, deklaron Besim Hoti, zëdhënës i policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Planit për fillimin e rifunksionalizimit të pikave doganore parashikohet të zbatohet nga data 16 shtator, në bazë edhe të marrëveshjes Prishtinë–Beograd për njohjen e vulave të doganave.

Top Channel