Qeveria e Maqedonisë duhet të mësoj nga Shqipëria se si të parandalojë keqpërdorimin e  liberalizimit të vizave. Deputetit i Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë, Zijadin Sela, tha se kjo dukuri negative mund të parandalohet vetëm me investime nëpër zonat e varfëra të vendit dhe jo me sanksione. Ai ka kundërshtuar propozimin e Qeverisë që t’u merren pasaportat personave që abuzojnë me vizat.

“Në vendet që u bë liberalizimi i vizave bën pjesë edhe Shqipëria. Atje nuk pat një eksod. Jo sepse standardi jetesës është më i madh, por atje cdo ditë asfaltohen rrugët, rregullohet një shkollë, hapet një ambulancë dhe ata njerëz kanë shpresë për një ditë më të mirë, kurse këtu qytetarët e Maqedonisë e kanë të vrarë shpresën”, tha Zijadin Sela, deputet i PDSH-së.

Edhe opozita maqedonase e vlerëson të dëmshëm këtë propozim të qeverisë, pasi një gjë e tillë do të rriste kërkesat e qytetarëve të Maqedonisë për pasaporta bullgare. Por përfaqësuesit e pushtetit thanë se nuk ka vend për shqetësim pasi personave që abuzojnë me vizat, pasaportat do t’u merren për një kohë të  shkurtër dhe jo përgjithmonë.

“Krejt kjo bëhet me qëllim të parandalimit të emigrimit ilegal, gjegjësisht ndaj gjithë atyre që keqpërdorin liberalizimin e vizave”, u shpreh Xhelal Bajrami, zv/ministër i Punëve të Brendëshme.

Me propzomin e qeverisë për ndryshimin e ligjit për dokumentet e udhëtimit, parashikohet që t’u merren pasaportat të gjithë atyre që keqpërdorin heqjen e vizave. Këto janë masa që po merren pas vërejtjeve të Komisionit Europian se numri i madh i  azilkërkuesve nga Maqedonia mund të rezikojë liberalizimin e vizave.  

Top Channel