Komisioni Evropian po përfundon raportin e tij mbi Serbinë, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do të rekomandojë dhënien e statusit të kandidatit për këtë vend.

Lajmin e bën të ditur agjencia serbe “Tanjug”, e cila iu referohet burimeve pranë zyrës së komisionerit evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle.

“Aktualisht po bëhet një analizë e informacioneve dhe dokumentave të marrë nga burime të ndryshme në Serbi, si nga autoritetet serbe, ashtu edhe nga OJQ-të”, kanë deklaruar zyrtarët.

Sipas të njëjtave burime, në Bruksel ka zyrtarë që mendojnë se Serbia duhet ta marrë statusin e vendit kandidat për në BE, por vendimi nuk është marrë ende.

Zyrtarët, të cituar nga agjencia serbe, kanë shtuar se Komisioni Evropian po harton një “paketë zgjerimi”, e cila do të përmbajë edhe një mendim për Serbinë.

Beogradi zyrtar shpreson të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, sidomos pas arrestimit të të kërkuarve për krime lufte, Ratko Mlladic dhe Goran Haxhic.

Madje, qeveria serbe shpreson edhe në një anëtarësim të përshpejtuar duke qenë se ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Hagën dhe BE-në.

Por entuziazmi i Beogradit u shfry ditë më parë nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila tha pa rezerva gjatë një vizite në kryeqytetin serb, se Serbia duhet të pranojë realitetin e ri në Kosovë para se të anëtarësohet në BE.

Gjithashtu, Merkel kërkoi nga qeveria serbe që të shkrijë sa më shpejt strukturat e saj paralele në veri të Kosovës, të cilat u bënë protagoniste të akteve të dhunës pas operacionit të forcave speciale kosovare më 25 korrik.

Top Channel