Kryeprokurori Serge Brammertz ka deklaruar se me arrestimin e Ratko Mlladic dhe Goran Haxhic, Serbia ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me gjykatën e Hagës.

Deklaratën e tij, Brammertz e ka bërë gjatë një vizite në Beograd, ku është takuar me kryetarin e Këshillit Kombëtar për Bashkëpunimin me Hagën, Rasim Lajic.

“Bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe gjykatës së Hagës po zhvillohet pa pengesa dhe në një nivel të lartë profesional përsa i përket dorëzimit të dokumentave, aksesit tek arkivat shtetërore dhe cështjeve të dëshmitarëve”, kanë vlerësuar njëzëri dy zyrtarët.

Ndërkohë, mediat serbe raportojnë se në takimin që Brammertz do të zhvillojë me prokurorin serb për krimet e luftës, Vladimir Vukcevic, do të diskutohet edhe cështja e dëshmitarëve në procesin ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Të njëjtat burime nënvizojnë se, pritet që kryeprokurori i Hagës të përsërisë qëndrimin e tij se asnjë person në listën e dëshmitarëve të kësaj cështjeje nuk është vrarë.

Pak javë më parë zyrtarë serbë shprehën shqetësimin e tyre për cështjen e Haradinajt, pasi sipas tyre shumë dëshmitarë janë vrarë ose janë intimiduar nga njerëzit e tij.

Por deklarata të tilla u hodhën poshtë nga vetë gjykata e Hagës, e cila i cilësoi ato si tërësisht të pavërteta.

Më pas edhe partia e Haradinaj, AAK deklaroi se, asnjë dëshmitar i thirrur nga Haga nuk është vrarë që prej vitit 2004.

Top Channel