Disa ndryshime në strukturat drejtuese të ushtrisë shqiptare në mënyrë
jo transparente i janë përcjellë me shqetësim Washingtonit nga numri dy i
ambasadës amerikane në Tiranë Debora Jones, permes nje kabllogrami që
mban datën 8 Shtator 2009.
“Në 2 shtator zyra e presidentit Topi njoftoi disa shkarkime dhe emërime në rangjet më të larta të ushtrisë sic ishin ato të komandantit të flotës detare Kristaq Gërveni, i zëvëndësuar nga admirali Kudret Cela. Gërveni do të emërohej zëvëndësshef i Shtabit të Përgithshëm.Ndërsa gjeneral brigade Vladimir Qiriazi u largua nga detyra e komandantit të llogjistikës duke marrë një detyrë tjetër”.
Në komunikatën për shtyp të presidencës,- vijon kabllogrami,- thuhet se të tilla ndryshime u kryen me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes, por disa kontakte të ambasadës përfshi shefin e Shtabit të Përgjithshëm Maksim Malaj, kanë deklaruar se nuk kanë patur dijeni më parë për të tilla ndyshime. Gjeneral Malaj është shprehur se ai është nëpërkëmbur duke mos qënë pjesë e konsultimeve për këto emërime.
Zëvëndësambasadorja Jones, përballë kësaj situate shkruan se “E ndërsa presidenti është komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare, ka të drejtë të shkarkoje dhe emërojë këdo që dëshiron, është jo e zakontë që ai të veprojë kështu pa u konsultuar me ushtrinë. Disa aspekte të emërimeve kanë shkaktuar shqetësim. Kapiteni i parë Gërveni merr një pozicion që zakonisht mbahet nga një gjeneral brigade, admiral apo një grade më të lartë ndërkohë që zoti Gërveni nuk ishte në listën e ngritjes në detyrë”. Zonja Jones duke iu referuar zërave të pakonfirmuar e shpjegon ngritjen në detyrë me faktin se e gjitha kjo ishte vecse një shpërblim për Gërvenin në negociatat e suksesshme me qeverinë greke për kufirin detar. “Kjo marrëveshje, – thekson zonja Jones, – besohet se ka bindur Greqinë për të ratifikuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Tani Gërveni do të komandojë fllotën detare të drejtuar më parë nga Admiral Cela që ishte i një ranku më të madh. Ndërsa ulja në detyrë e gjeneral brigade Vladimir Qiriazi duke iu referuar disa burime në Ministrinë e Mbrojtjes vjen si një demotivim ndëshkues për një ngatërresë që lidhet me cështje pronësie”.
Kabllogrami sqaron se bëhet fjalë për stadiumin Dinamo pronë e ushtrisë. Burimet kanë pohuar se një person i afërt i kryeministrit, që mund të jetë edhe ministër po tenton blerjen e kësaj prone, por gjeneral Qiriazi refuzoi të firmosë dokumentat për kalimin e pronësisë në duar të privatëve.
Debora Jones e mbyll kabllogramin me këtë koment: “Ndihma e Gjeneral Qiriazit si komandant i llogjistikës në demilitarizim do të na mungojë. Ajo që mbetet më shqetësuese është mungesa e transparencës në këto emërime, natyra delikate dhe potencialisht lidhjet me korrupsionin. Fatkeqësisht kjo është një praktikë rutinë në të gjithë qeverinë shqiptare për emërimet që vendosen nga lart dhe pa konsultim. Një praktikë që frenon zhvillimin e vlerësimit sipas meritës tek nënpunësit civil dhe oficerët ushtarakë”.
Top Channel