Prokuroria verifikon Wikileaks

06/09/2011 19:25

Prokuroria e Përgjithshme ka sqaruar përmes një deklarate, duke iu referuar disa informacioneve të publikuara në disa media te shkruara, se nga ana e saj nuk është ngritur grup i posaçëm hetimor lidhur me kabllogramet e dhëna nëpërmjet Wikileaks e të pasqyruara në media.

Deklarata e Prokurorisë konfirmon lajmin e dhënë të hënën nga Top Channel, për ngritjen e një grupi të posaçëm verifikimi të çështjeve të nxehta që përmenden në kabllogramet e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe që janë bërë publike në mediat shqiptare përmes sajtit të njohur Wikileaks.

Top Channel konfirmoi nga burime zyrtare dhe jo zyrtare në Prokurorinë e Përgjithshme se në organin qendor të akuzës është ngritur një grup i posaçëm verifikimi për kabllogramet e Wikileaks mbi Shqipërinë.

Zyrtare të Prokurorisë që janë pjesë e këtij grupi konfirmojnë se verifikimet po vijojnë me këtë qëllim.

Madje, për të hedhur më tej dritë mbi këtë grup të posaçëm verifikimi, Top Channel ka mësuar nga burimet e besueshme zyrtare se në grup janë të atashuar edhe disa përkthyes të liçensuar.

Grupi i hetuesve që po kryen këto verifikime, është i përbërë nga prokurorë nga task force nga Prokuroria e Tiranës, katër ekspertë të atashuar para tre muajsh në organin qendror si dhe dy prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme.

Se çfarë do ndodhë me tej me këto verifikime burimet në Prokurori nuk japin detaje pasi edhe në kabllograme zyrtarët e Ambasadës Amerikane thonë se nuk mund t’i vërtetojnë ligjërisht të tilla lidhje.

Megjithatë pritet të proçedohet sikurse edhe në rastet kur prokuroria ka nisur verifikimet e më pas edhe hetimet bazuar në faktet e bëra publike në media, siç ndodhi në rastin e dosjes Damir Fazllic ku task force mori shkas nga disa publikime në shtypin e shkruar për biznesmenin serbo-boshnjak duke e hetuar për pastrim parash.

Ndonëse në raste të tjera të ngjashme, Prokuroria ka heshtur, deklarata e Prokurorisë së Përgjithshme duket se është hartuar pas shndërrimit që një pjesë e mediave, sipas Prokurorisë, i kanë bërë termave juridike të proçedurave nga verifikim në hetime mbi kabllogramet e Wikileaks. Prandaj Prokuroria ka nxituar të thotë se nuk ka grup hetimor, pa zbuluar se ekziston grupi i posaçëm i verifikimit, që është një proçedurë e zakonshme paraprake, përpara se të kalohet në hetime.

Në kabllograme përmenden çështje të nxehta si ajo e rrugës Durrës-Kukës, Fazlliç, Gërdeci, akuzat ndaj numrit dy të policisë shqiptare dhe të një pjese të zyrtarëve të lartë të qeverisë e njëkohësisht deputetë për lidhje me krimin.

Në kabllograme gjithashtu përmenden edhe presionet që i janë bërë organit të akuzës, nga ana e pushtetit dhe politikës sa herë ajo ka nisur hetime për këto skandale të mëdha, të cilat më pas kanë sjellë tërheqjen e Prokurorisë dhe shuarjen apo zvarritjen e këtyre çështjeve të bujshme.

Top Channel