“Kancelarja gjermane Angela Merkel ka fundosur anijen e politikës së jashtme të Serbisë”.

Kështu shkruhet në një artikull të së përjavshmes britanike “The Economist”, e cila do të botohet ditën e shtunë.

“The Economist” vlerëson se Serbisë po i ecte gjithcka mirë në rrugën drejt BE-së, derisa në Beograd vajti kancelarja Merkel.

Kjo e fundit, kujton gazeta, i bëri të qartë presidentit Tadic se, nëse do të anëtarësohet në BE, duhet të shpërbëjë strukturat paralele në veri të Kosovës.

“Deklaratat e Merkel tronditën Brukselin, që po përgatitej t’ia jepte Serbisë statusin e vendit kandidat. Në realitet, Serbia ose mund t’i bashkohet BE-së pa Kosovën, ose nuk do t’i bashkohet dhe do mbetet sërish pa Kosovën”, analizon e përjavshmja prestigjoze situatën.

Merkel i vendos kushte Serbisë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka dhënë Serbisë tri porosi për progres para marrjes së statusit të kandidatit: rezultate në bisedimet me Kosovën, shtrirjen e EULEX-it dhe veprimin në tërë territorin dhe heqjen e institucioneve paralele.

Udhëheqësja e shtetit gjerman, jo shumë e relaksuar, ka folur në mënyrë të hapur gjatë vizitës së saj në Serbi. Ajo ka thënë se nuk ka frikë për asgjë dhe nuk mund të ketë frikë as për veriun.

Sipas saj, politikanët ekzistojnë për të zgjidhur probleme të vështira. Merkel ka treguar se në Gjermani jetojnë rreth 300 mijë serbë dhe se shteti i saj e sheh të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Evropian, por edhe të vendeve të rajonit.

“Gjermania ka pranuar Republikën e Kosovës, kurse Serbia nuk e ka bërë këtë. Në këtë situatë na duhet një progres, rezultate në dialog”, ka thënë ajo.

Kushtet e Merkel për Beogradin

Serbia nuk ka mundur t’ia kthej fjalën menjëherë kancelares gjermane, Angela Merkel.

Por vizita e saj në kryeqytetin serb nuk i ka gëzuar të gjithë dhe nuk ka qenë një lajm i mirë.

Deklaratat e saj për heqjen e institucioneve paralele në Kosovë ka vënë Serbinë edhe para një dileme që deri tani nuk ishte ushqyer si e tillë.

Top Channel