Presidenti Topi takon presidenten e Kosovës

25/08/2011 10:15

Presidenti i Republikës,  Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, gjatë vizitës në jug të Shqipërisë zhvilloi edhe një takim të veçantë me Presidenten e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, e cila po kalon disa ditë pushimesh në qytetin e Vlorës.

Kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet gjithnjë e më të konsoliduara mes dy vendeve tona.
 
Duke vënë në dukje rolin në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajonin ballkanik të Republikës së Kosovës menjëherë pas mëvetësimit të saj, Presidenti Topi theksoi se procesi i pandalshëm i njohjeve të reja të Kosovës po shënon arritje të reja përditë e më shumë.

Nga ana e saj, Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga,  shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për këtë takim me Presidentin Topi.

Presidentja Jahjaga vuri në dukje faktin se Kosova gjithnjë e më tepër po shndërrohet në një faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, paqeje dhe qëndrueshmërie në kuadër të integrimit të përbashkët rajonal.
 
Gjatë këtij takimi, të dy homologët e vendeve fqinje diskutuan edhe mbi bashkëpunimin politik dhe ekonomik në të gjithë fushat mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Top Channel