Fier, përleshet bordi i ujësjellësit

25/08/2011 16:45

Mbledhja e asamblesë së ortakëve të shoqërisë aksionere të ujesjellës kanalizimeve në Fier ka përfunduar me përleshje fizike dhe përdorim dhune.

Asambleja ishte mbledhur për të zgjedhur një anëtar që duhet të zgjidhej me rotacion. Përfaqësuesit e këshillit bashkiak të Fierit kundërshtuan propozimin e komunës Frakull, por me votim ai u zgjodh në bord.

Pas kësaj është bërë nxjerrja jashtë e gazetarëve që po ndiqnin takimin dhe mbledhja për shkak të debateve përfundoi me përdorimin e dhunës.

Nënkryetari i bashkisë së Fierit akuzoi kryetarin e komunës Frakull, se e ka rrahur gjatë mbledhjes.

“Kërkova të respektohet ligji dhe që mbledhja të zhvillohej sipas ligjeve në fuqi. Në këtë moment kryetari i komunës dhe gangsterrët e tij ushtruan dhunë ndaj personit tim”, ka deklaruar Florjan Mucaj.

I akuzuari mohon të ketë qëlluar vetë, duke thënë se ishin të tjerë personat e përfshirë në përplasjen fizike.

“Po të kisha ushtruar unë dhunë ndaj tij, ai sot do të ishte në spital. Pasi me forcën time fizike, unë e thyej atë. Ai ka diskutuar me disa persona por dhunë nuk ka pasur”, ka deklaruar kryekomunari i Frakullës, Viktor Cervenaku.

Ndërkohë, mësohet se për rastin në fjalë është bërë padi në prokurori.

Top Channel