Lagështira uli prodhimin e grurit

22/08/2011 08:30

Prodhimi i grurit në Shqipëri u ul me 11 për qind gjatë vitit 2010,
pjesërisht si pasojë e dëmtimit të bimëve nga përmbytjet dhe lagështira e
theksuar e pjesës së parë të vitit, ndërkohë që prodhimi i misrit dhe
perimeve shënuan rritje, ndërsa prodhimi i foragjereve mbeti pothuajse i
pandryshuar.

Lajmi bëhet i ditur nga raporti vjetor i Ministrisë së Bujqësisë. Gjatë vitit 2010 Shqipëria prodhoi 295 mijë tonë grurë, nga 333 mijë tonë që kishte prodhuar në vitin 2009, ndërsa importoi edhe 270 mijë tonë të tjera.

Shqipëria, sipas “Shqip”,importoi edhe 41 mijë tonë miell të gatshëm si dhe rreth 17 mijë tonë makarona. Konsumi total prej rreth 600 mijë tonësh drithë përkon me një konsum vjetor për frymë prej afërsisht 200 kilogramë.

Çmimi i grurit të shitur në Shqipëri ka pësuar rënie gjatë dy viteve të fundit, kryesisht si pasojë e krizës ndërkombëtare. Në vitin 2008, një kilogram grurë kushtonte 47 lekë, ndërsa në vitin 2010 çmimi ra në 36 lekë. Edhe çmimi i miellit u ul nga 84 lekë në vitin 2008 në 78 lekë vitin e kaluar, duke reflektuar vetëm një pjesë të uljes së çmimit të grurit.

Çmimet më të ulëta u reflektuan edhe te interesi i fshatarëve shqiptarë për prodhimin e grurit. Sasia e tokës së mbjellë me këtë kulturë u reduktua, gjë që u shoqërua me rënie të lehtë të rendimentit për hektar.

Rreth 74 mijë hektarë tokë u mbollën me grurë gjatë vitit 2010, ndërkohë që një vit më parë qenë mbjellë 83 mijë hektarë. Rendimenti mesatar kombëtar qe 39.9 kuintal për hektar, nga 40.2 kuintal që u prodhuan në vitin 2009.
Prodhimi i grurit është një aktivitet me pak interes për fshatarësinë në Shqipëri, për shkak të sasisë së kufizuar të tokës.

Një familje tipike fshatare disponon 1.2 hektarë tokë, të cilat, nëse mbillen me grurë, sjellin të ardhura bruto prej më pak se 150 mijë lekë në vit. Gruri mbillet kryesisht për shkak se fshatarët nuk kanë alternativë tjetër, mbillet për kashtën që përdoret si foragjer dhe për shkak se shumë prej familjeve fshatare kanë shumë pak të ardhura në para, gjë që i shtyn të prodhojnë grurë minimalisht për të mbuluar konsumin personal.

Top Channel