Monstra i Korçës, merrte pension në Gjermani

15/08/2011 13:25

Xhelozia dhe hakmarrja për “shpërdorimin” e lekëve të pensionit, janë
motivet që kanë shtyrë 84-vjeçarin Gaqo Dumka, të masakrojë dhe gjymtojë
42-vjeçaren Liljana Arapi, me të cilën bashkëjetonte prej vitesh.

Kështu konfirmohet nga policia lokale, e cila dje ka zbardhur detaje të tjera të ngjarjes makabre që tronditi qytetin e Korçës, mbrëmjen e së premtes. Masakrimi i 42-vjeçares nga Bilishti, trupi i së cilës është tërhequr nga familja për t’u varrosur pa kokë, sipas burimeve të rezervuara të policisë lokale është kryer në mënyrë mizore nga autori, i cili, sipas të dhënave, ka qenë i dënuar në kamp përqëndrimi në Gjermani, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Dyshohet se periudha e internimit të tij në Gjermani, ka lënë tek i moshuari devijime psikike, që janë shfaqur në mënyrën se si është kryer masakrimi i 42-vjeçares Liljana Arapi. “Vrasja e 42-vjeçares nga Bilishti i Devollit, është kryer me gjakftohtësi dhe mandej 84-vjeçari me qetësi është përpjekur të fshijë gjurmët e krimit, por pa ia arritur të zhdukë çdo shenjë të tyre”, tha për gazetën “Shqip”, një burim i grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e ngjarjes. Policia ka mësuar se 84-vjeçari Gaqo Dumka ka qenë në një kamp përqëndrimi në Gjermani dhe për këtë arsye, përfitonte pension në formë dëmshpërblimi nga shteti gjerman.

“Ai kishte krijuar dyshime se gruaja me të cilën bashkëjetonte e tradhtonte me persona të tjerë, ndaj 84-vjeçari ka vendosur që ta vrasë në ambientet e brendshme të shtëpisë ku jetonte me qira, në lagjen 4 të qytetit të Korçës”, tha një drejtues i policisë lokale të Korçës, duke iu referuar pohimeve të të moshuarit pas arrestimit.

Mësohet se 84-vjeçari Gaqo Dumka ishte shumë xheloz dhe në rastet kur gruaja udhëtonte drejt vendlindjes, e përcillte deri te stacioni i autobusëve apo furgonëve, dhe vetëm kur sigurohej se ajo udhëtonte e vetme për në Bilisht, kthehej në banesën e tij. Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga 84-vjeçari, gruaja me të cilën ai mendonte se do ta kishte pranë në pleqëri, i kishte shpenzuar të gjitha të ardhurat e pensionit, madje e kishte futur edhe në borxhe. Pronarë të pikave të tregtimit të mallrave ushqimore pranë banesës ku rrinte 84-vjeçari, kanë pohuar se në emër të tij janë shënuar borxhe deri në 4 mijë lekë për blerjen e ushqimeve.

Ndërkohë mësohet se i moshuari me origjinë nga Dardha, kishte shkëputur marrëdhëniet me pjesëtarët e tjerë të familjes, ashtu sikurse edhe vetë 42-vjeçarja që ai masakroi pa mëshirë. Sipas policisë, ai ishte i ve dhe vetëm pasi është publikuar në media arrestimi i 84-vjeçarit dhe krimi që ka kryer, vajza e tij është kthyer nga Greqia dhe ka shkuar në komisariat të interesohej për të atin. Një reagim i ftohtë ka qenë edhe ai i familjarëve të viktimës. Ndonëse janë sinjalizuar nga policia për ngjarjen e rëndë, që kishte për protagoniste vajzën e tyre, të afërmit e 42-vjeçares Liljana Arapi janë paraqitur në morgun e spitalit të Korçës vetëm dje pasdite. “Liljana, prej kohësh kishte mosmarrëveshje me prindërit dhe të vëllane dhe me sa dimë ne, prej të paktën dy vitesh jetonte rregullisht në Korçë”, tregojnë fqinjë të viktimës në qytetin e Bilishtit.

Sipas tyre, herë pas here pjesëtarë të familjes Arapi i drejtoheshin Komisariatit të Devollit për të denoncuar mosmarrëveshjet që krijoheshin në familjen e tyre, shpeshherë dhe banale. Prindërit nuk tregonin shumë interesim se ku jetonte vajza e tyre, e cila shumë rrallë shkonte t’i vizitonte në vendlindjen e saj, në Bilisht. Ndërkohë mësohet se e ëma kalonte shumë kohë në Tiranë te të afërmit.


Krimi

Sipas të dhënave të policisë lokale, krimi monstruoz është paramenduar dhe kryer me qetësi nga 84-vjeçari. Ai ka dëshmuar se e ka vrarë në gjumë gruan me të cilën bashkëjetonte në fshehtësi. Pas vrasjes së saj, 84-vjeçari i ka prerë gjymtyrët, kokën dhe organet gjenitale, e më pas pjesët e trupit dhe rrobat e gruas, i ka futur në thasë plastikë. Në orët e mbrëmjes, ai i ka hedhur thasët në një kazan grumbullimi mbeturinash, afro 30 metra larg shtëpisë ku banonte me qira.

I moshuari është përpjekur të zhdukë sa më shumë gjurmë të krimit, duke pastruar nga gjaku batanijet dhe muret e shtëpisë, të spërkatura me gjakun e 42-vjeçares. Ndërkohë ende nuk dihet fati i kokës së viktimës. “Autori i krimit, herë pas here shfaq shenja lodhjeje dhe mungesë kujtese dhe nuk arrin të dëshmojë se çfarë ka bërë me kokën e viktimës”,- thanë burime zyrtare nga Policia e Korçës. Ndërkaq, trupi i gjymtuar i 42-vjeçares, pas kryerjes së veprimeve të nevojshme hetimore i është dorëzuar të afërmve.

Liljana Arapi u gjet e masakruar pak para mesnatës së të premtes së kaluar, nga disa punonjës të Ndërmarrjes së Pastrimit në afërsi të fshatit të Ravonikut, te pika e grumbullimit të mbeturinave. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur disa orë përpara gjetjes së kufomës së masakruar, ndërsa identifikimi i saj është bërë pasditen e së shtunës.

84-vjeçari “fsheh” kokën e viktimës

Gjatë marrjes në pyetje, 84-vjeçari Gaqo Dumka nuk ka treguar se ku ka përfunduar koka e prerë e 42-vjeçares Liljana Arapi. Me gjithë kërkimet në fushën e mbetjeve urbane në qytet, policia nuk ka mundur ta gjejë.

Sipas drejtuesve të policisë lokale, 84-vjeçari po jep dëshmi të çoroditura, dhe i shmanget përgjigjes së pyetjes për vendndodhjen e kokës së viktimës.

Ndonëse e ka pranuar krimin e rëndë, 84-vjeçari Dumka nuk ka treguar nëse ka hedhur kokën në kazanin e plehrave, të fshehur në thes plastik apo nëse ka menduar një tjetër hakmarrje për këtë pjesë të trupit të saj.
 

Top Channel