Shqipëria eksportoi 7200 tonë bimë medicinale me vlerë të përgjithshme
prej rreth 1.8 miliardë lekësh (rreth 14 milionë euro) në vitin 2010, me
rritje prej 20 përqindësh në krahasim me vitin 2009.
Lajmi bëhet i ditur nga raporti vjetor i Ministrisë së Bujqësisë. Eksporti i bimëve mjekësore vijon të jetë më i ulët se sa rekordi i shënuar në vitin 2008, kur u eksportuan gjithsej 9 mijë tonë.
Bimët medicinale grumbullohen nëpër malet e Shqipërisë nga fshatarët e varfër dhe eksportohen për t’u përdorur si lëndë e parë nga kompanitë farmaceutike apo ato të produkteve të bukurisë. Ato janë eksporte tipike të vendeve shumë të varfra, pasi në vendet e pasura, nuk ka leverdi për mbledhjen e tyre.
Çmimi mesatar i deklaruar në doganë për eksportin e bimëve medicinale në vitin 2010 qe 258 lekë për kilogram.
Fshatarët që i kanë mbledhur dhe i kanë tharë këto bimë marrin zakonisht 20-50 lekë për kilogram dhe ky aktivitet u ofron punë me pagesë ditore shumë të vogël.
Shqipëria ka eksportuar bimë medicinale gjatë kohës së komunizmit, kur ky aktivitet ofronte të ardhura shtesë për familjet e varfra të zonave malore, pasi punësonte fëmijët. Rreth 3 për qind e të gjitha të ardhurave të popullatës në vitet ‘80 krijohej nga grumbullimi i bimëve medicinale.
Top Channel