Qeveria e Kosovës është pajtuar që gjatë së enjtes nga Serbia të hyjnë në Kosovën Veriore disa kamionë me ndihma humanitare.

Ato janë sjellë në Kosovë nga Kryqi i Kuq i Serbisë, nga pika kufitare në Jarinje. Por, sipas zyrtarëve qeveritarë ky lejim nuk do të jetë i përshershëm.

Sipas zëvëndëskryeministres Mimoza Kusari – Lila, nëse një palë e tretë, e pavarur, arrin në konkluzionin se në Veri të Kosovës nuk ka krizë humanitare, atëherë ndihma të tjera nuk do të lejohen të hyjnë.

Qeveria e Kosovës tashmë ka depozituar kërkesën për një vlerësim të situatës nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe nga Agjencitë e Kombeve të Bashkuara.

“E ritheksoj edhe njëherë se sot jemi dakorduar që të lejohen pesë kamionë me ndihma ushqimore. Përjashtim mund të jetë vetëm dita e sotme, përderisa në të ardhmen nuk do të lejohen as mallrat humanitare, nëse ka një vlerësim se nuk ka krizë humanitare. Pse të hyjnë mallra humanitare, nëse nuk ka krizë humanitare”, ka deklaruar Lila.

Deklarata e zëvëndëskryeministres erdhi pas mbledhjes së qeverisë, të cilën kryeministri Hashim Thaçi e ka mbledhur për herë të tretë brenda kësaj jave, ku ka përseritur qëndrimin se, “nuk do të ketë kthim prapa, as para 25 korrikut”, kur në Veri dërgoi njësitet speciale.

Mëngjesin e së enjtes kryeministri Hashim Thaçi është takuar me komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler për t’u qartësuar në lidhje me përflitjet se ai ka arritur marrëveshje me kryenegociatorin serb, Borko Stefanovic.

Por pas kësaj, në një konferencë për media zëvëndësja e tij, Mimoza Kusari Lila, ka shpjeguar se, “ajo nuk është një marrëveshje e nënshkruar, ato kanë qenë vetëm pika të diskutimit dhe nuk ka një marrëveshje të tillë”.

Në njërën nga pikat, sipas draft/marrëveshjes, parashikohej që “veturat dhe kamionët me peshë deri në 3.5 tonelata që transportojnë ndihma humanitare do të lejohen tëkalojnë, kundrejt kontrolleve të detajuara”.

Kjo ka ardhur pasi zyrtarët serbë këto ditë kanë deklaruar se në veri të Kosovës ka krizë humanitare, por kjo kundërshtohet nga Prishtina zyrtare.

Megjithkëtë, lejimi i ndihmave humanitare të cilat do të vijnë nga Serbia është kundërshtuar nga lëvizja Vetëvendosje, si forca e tretë parlamentare.

“Kjo mënyrë e funksionimit tregon se Kosova nuk është e pranishme në veri dhe se këtë punë mund ta bëjnë vetëm institucionet e Serbisë”, ka deklaruar Shpend Ahmeti.

Në anën tjetër nuk ka qenë e mundur të merret ndonjë qëndrim nga subjektet e tjera opozitare. Përndryshe, javën e kaluar i gjithë spektri politik ishte bashkuar duke i dhënë mbështetje qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin në gjithë territorin.

Top Channel