Integrimi në BE, Italia e Sllovenia: Kaloni ngërcin

03/08/2011 13:50

Sllovenia dhe Italia kërkojnë që integrimi në Bashkimin Evropian dhe
përmbushja e reformave në këtë kuadër të shërbejnë si forcë për të
tejkaluar ngërcin politik aktual.

Ky qëndrim është shprehur në takimin e sotshëm mes ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto dhe ambasadorëve italian Saba D’Elia dhe slloven Bojan Bertoncelj.

Dy ambasadorët i përcollën ministrit Haxhinasto mesazhin e përbashkët që Ministri i Jashtëm Italian, z Franko Fratini dhe Ministri i Jashtëm Slloven, z. Samuel Zbogar, i dërgojnë përfaqësueses së lartë të BE për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Ashton dhe Komisionerit të zgjerimit Stefan Fyle.

Ambasadoret u shprehen se dyert e BE-së janë të hapura për anëtarësimin e vendeve që plotësojnë kushtet.Gjithashtu, në mesazh thuhet procesi i zgjerimit europian po ecën përpara, dhe anëtarësimi i afërt i Kroacisë demonstron qartë se dyert e BE-së janë të hapura, sapo vendet të kenë plotësuar kushtet e kërkuara.

Polonia: Zgjidhni ngercin

Ambasadorja polake në vendin tonë Irena Tatarzynska deklaron se ngërci politik në Shqipëri mbetet pengesë e madhe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian..

 Duke folur në një intervistë për
radion Deutsche Welle, ambasadorja e vendit që ka presidencën e radhës
së BE-së, tërhoqi vëmendjen se mungesa e një dialogu mes palëve vijon që
prej përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe se
vendi duhet të fokusohet në përmbushjen e kritereve dhe kushteve, sepse
kjo është rruga e vetme e integrimit.

“Tani që zgjedhjet lokale për Tiranën janë një kapitull i mbyllur mendoj
se është koha për t’u fokusuar tek çështjet kyçe të integrimit, për të
bërë të mundur përgjigjen pozitive për 12 aspektet e indentifikuara nga
Komisioni Evropian për Shqipërinë”, tha Tatarzynska.

Top Channel