Minatorët shtojnë kërkesat

28/07/2011 13:00

Në ditën e katërt të grevës së urisë nën tokë, minatorët protestues kanë vendosur që t’i thellojnë kërkesat e tyre.

Komisioni i grevës, duke theksuar se askush nga Qeveria apo kompania ACR nuk i vizitoi për të dialoguar rreth kërkesave të bëra më dije, tashmë ka vendosur që të shtojë kriteret që duhen përmbushur.

Në listë është shtuar kërkesa për largimin e administratorit dhe drejtuesit Medat Zogu, si dhe rritja e pagës jo më 20 përqind, por 40 përqind.

Rendohet gjendja e minatoreve

Ka hyre në diten e katërt greva e urisë e minatorëve të Bulqizës. Ata jane duke qendruar 1 mijë metra nën tokë në kushte shumë të rënda si pasojë e lagështisë.

Ministria e Ekonomise vendosi dje penalizimin e shoqërisë koncesionare ACR me një vlerë prej 56 milionë lekë për shkak të mosrealizimit të investimeve të parashikuara.

Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet se kompania nuk ka realizuar investimet për vitet 2007 dhe 2008 dhe në 2009 nuk ka realizuar asnjë investim.

“Kontrollet e ushtruara nga ana e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore konstatojnë se për periudhën 2007-2008, shoqëria ACR ka investuar 3 090 000 USD ne Minieren e Kromit Bulqize, ndërkohë që investimet e kryera në bazë të kontratës koncensionare që METE ka lidhur me ACR, duhet të ishin 3 400 000 USD. Gjithashtu, nga kontrollet e ushtruara rezulton se për vitin 2009 nuk ka pasur asnjë investim në minierën e kromit të Bulqizës nga shoqëria koncensionare “Albanian Chrome”. Për këtë arsye, METE vendosi sot aplikimin e penalitetit prej 56 milionë lekësh për shoqërinë ACR, i cili duhet të shlyhet nga ACR brenda 20 ditësh nga marrja e njoftimit”, thekson njoftimi i ministrisë.

Ndërkohë, në nivelin 14 në minierat e Bulqizës vijon greva e urisë së minatorëve, grevë e cila ka hyrë në ditën e saj të katërt. Shëndeti i grevistëve është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të mungesës së ajrit dhe lagështirës së madhe.

Ndërkohë nën tokë edhe shërbimi mjekësor nuk është gjithmonë i pranishëm.

Top Channel