Rikthehet stina e zjarreve në Gjirokastër

17/07/2011 10:45

Dy zjarre që përfshinë gjatë dy ditëve të fundit qindra hektarë kullotë në zonën midis Leklit e Hormovës dhe në Malin e Gjerë, kanë shënuar njëkohësisht edhe rikthimin e stinës së zjarreve në Qarkun e Gjirokastrës.

Zjarri i parë masiv në këtë rajon është shfaqur dy ditë më parë në shpatet e malit të Shëndërllisë dhe ka vazhduar me të njëjtin intensitet duke djegur sipërfaqe të tëra më pyje dhe kullota përballë pikës turistike të Ujit të Ftohtë në Tepelenë.

Ndërkaq, vetëm disa orë më pas zjarret kanë përfshirë sipërfaqe të tëra në lartësitë e shpateve të Malit të Gjerë midis fshatit Lazarat dhe Gjirokastrës.

Sipas informacioneve nga reparti i zjarrfikësve, Drejtoria e Shërbimit Pyjor dhe Zyra e Emergjencave pranë prefekturës së qarkut, fenomeni i zjarreve në këtë rajon sapo ka nisur.

Për shkak të temperaturave të larta të mjedisit dhe motit të thatë pa reshje, parashikohet që gjatë kësaj stine të shfaqen shumë vatra zjarresh.

Top Channel