Votohet shembja e Piramidës

14/07/2011 15:00

Diskutimi i projektligjit për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të
kompleksit të ri parlamentar ishte një rast i mirë për disa prej
deputetëve të mazhorancës për t’u shfaqur në foltoren e Kuvendit. (UPDATE)

Ata mbrojtën idenë e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, duke akuzuar opozitën se po spekulon me këtë cështje. Enekelejd Alibeaj p.sh kujtoi një vendim të hershëm të Kuvendit të vitit 2005, për të thënë se ndërtimi i një Parlamenti të ri ka marrë konsensusin e të dy kaheve të politikës.

“Vendimi 66 i Parlamentit i vitit 2010 nuk është gjë tjetër vecse një ripërsëritje e një vendimi të marrë nga ky Parlament në vitin 2005, kur në krye të kësaj salle ishte qëndronte një nga profesorët e të majtës: Servet Pëllumbi. I miratuar me 138 vota, pra nga të gjithë anëtarët e Kuvendit të asaj kohe. Cështja është me se do të ndërtohet? Po sigurisht, do të ndërtohet me paratë publike. Si do të ndërtohet? Nëpërmjet procedurave të prokurimit publik. Ku do të ndërtohet? Do të ndërtohet në Tiranë miq e shokë, në atë vend i cili për fatkeqësinë e të gjithëve ne sot mund të quhet fare mirë një vend i mallkuar. Nuk mund të mbajmë në këmbë një vend, i cili mban brenda fantazmën e diktatorit”, tha Alibeaj.

Deputeti Gent Strazimiri ishte mjaft i ashpër me kryetarin në detyrë të bashkisë së Tiranës Edi Rama, duke e cilësuar atë si harrami i Tiranës. Por jo vetëm. Ai i cilësoi bizneset që kanë marrë ambiente me qera pranë këtij objekti, si kioska dhe qebaptore.

“Harrami i Tiranës gënjen edhe enversitët kur u thotë se shqetësohet për mauzoleumin e Enverit. Të cilin në fakt e dha me qira duke e shndërruar në një grumbull kioskash dhe qebaptoresh, sociale, politike apo edhe mediatike. Gënjen edhe kioskaxhinjtë në fjalë ku u thotë se shqetësohet për ta”, tha Strazimir.

Më pas deputeti Strazimiri pranoi se projektit të kompleksit të ri parlamentar i mungon kostoja financiare. Por u duk mjaft i sigurt se kjo kosto do të mbesë nën nivelin e prezumuar të korrupsionit vjetor të qeverisë socialiste para vitit 2005.

“Pyetja 1 milionë dollarëshe është sa do të jetë kostoja. Nga kjo pikpamje ky në fak është një ligj pa kosto. Dhe është ndër të paktët në morinë e atyre ligjeve që ne miratojmë cdo ditë në komisione, sa herë mblidhemi në seancë plenare. Në fakt një gjë është e sigurt: që kostoja do të jetë dhjetrafish më e vogël se 1.5 mld USD që ata vidhnin cdo vit nga arka e shtetit”, tha Strazimir.

Në fund projektligji u miratua me 72 vota, dy prej 74 deputetëve të mazhorancës nuk ishin të pranishëm në këtë seancë.   

Top Channel