Mbërrijnë në Prishtinë marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një zyrtar i lartë i qeverisë konfirmoi në kushte anonimiteti se ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian, Robert Cooper ka dorëzuar në adresë të qeverisë së Kosovës tri marrëveshjet e arritura mes palëve të cilat tashmë presin zbatimin në praktikë.

Por ky zyrtar i lartë nuk ka qenë në gjendje të thotë se kur këto marrëveshje do të publikohen ashtu siç është premtuar.

Lidhur me publikimin e tyre nuk është përgjigjur as zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e cila të dielën tha se ato do të bëhen të njohura për publikun sapo të mbërrijnë nga Brukseli.

Edhe kryeministri Thaçi sot nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për këtë çështje.

Top Channel ka kontaktuar gjatë ditës edhe me ministrin e Brendshëm Bajram Rexhepi lidhur me atë se në çfarë forme Kosova do të fillojë sërish t’i prodhojë targat e vjetra KS të automjeteve.

Ministri Rexhepi nëpërmjet telefonit tha se është ende herët për këtë.

Ai shtoi se pasi të merren dokumentet zyrtare do të formohen grupet për implementimin e marrëveshjeve dhe ato grupe do t’i propozojnë modalitetet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA