Jepi një pjepër, një shalqi apo një rrepë dhe për disa minuta do ta rikthejë sërish në dorë jo më si një frut të thjeshtë, por një frut skulpturë me forma dhe lakime nga më interesantet dhe nga më të çuditshmet.

Kohët e fundit ka filluar të njihet shpesh me nofkën: skulptori i frutave, por emri i tij i vërtetë është Dorian Malasllani. E shohim teksa përgatit tavolinën me mjetet e tij më të parapëlqyera e që mesa duket i mban gjithmonë me vete në çdo vend ku kalon pjesën më të madhe të kohës.

“Mjetet kryesore që duhen për të realizuar skulptura të tilla janë shpatulla, thika. Këto kanë format dhe lakimet me të cilat realizoj punët e mia. Disa nga format kryesore që unë kam realizuar janë që nga logot e kompanive të ndryshme, emrat e njerëzve, zogj, qen, madje edhe lule”, është shprehur Doriani.

Dëshira e tij për t’u bërë profesionist i artit të skulpturave të frutave ka lindur gjashtë vite më parë, atëherë kur ndiqte një kurs. Udhëheqësi i kursit realizoi një skulpturë me fruta. Ky punim e bëri “të dashurohej” pas këtij detaji, i cili më vonë do të pasuronte bufetë që përgatiste me fruta dhe ëmbëlsira.

“Kisha një kurs afër shtëpisë në Breshia, por në fakt preferova që të mos e merrja aty këtë profesion sepse pjesa më e madhe e njerëzve shkonin aty dhe mësonin të njejtat forma, të njejtat teknika. Hyra në internet dhe gjeta një tjetër kurs për skulptura e frutave në Zvicër. Mora trenin dhe mbërrita atje për të zhvilluar kursin 1-javor”, thotë Dori.

Ky profesion është art, e madje shumë i vlerësuar jashtë Shqipërisë, e megjithatë sipas shqiptarit të vetëm që vazhdon ta praktikojë dhe në momentin që ne flasim, ky stil europian ka filluar të pëlqehet shumë edhe në vendin tone, veçanërisht në ditëlindje, bankete e festa kompanish të ndryshme ku nuk mungojnë as logot prej frutash.

Realizimi i këtij arti përveçse kërkon kreativitet, kujdes dhe durim, kërkon edhe kohë. Ja si e klasifikon personazhi ynë kohën për përgatitjen e skulpturave të frutave, nga më e lehta tek më e vështira.

“Skulpturat që kërkojnë më shumë kohë janë logot dhe kafshët, të cilat kërkojnë mbi 5 orë për t’u marrë me to, ndërkohë ka edhe skulptura më të thjeshta të cilat kërkojnë reth 20 minuta për t’u përfunduar”, shprehet Dori.

Por le të përpiqemi të zbuojmë sesi e punon një nga frutat dhe se çfarë e bën këtë frut të vecantë nga të tjerat.

“Shalqinit i hiqet lëkura dhe fillojmë ta punojmë. Ky frut ka tre ngjyra të cilat të lejojnë të punosh dhe e bëjnë më interesante figurën. Këto janë e kuqa, jeshilja dhe e bardha”, tregon Dori.

Një kombinim i dëshirës me pasionin sjell rezultate që të kënaqin syrin e që kërkojmë gjithmonë e më shpesh të na shoqërojnë në çdo moment të jetës sonë.

FOTO GALERI
1/6
Tendenca e re për t’i shndërruar frutat në vepra arti

Top Channel