Fajtori i borxhit

25/06/2011 16:45

Në vitin 2007, qeveria shqiptare zyrtarizoi ndoshta reformën më të
rëndësishme të saj, atë të taksës së sheshtë në nivelin 10 për qind.

Përtej skepticizmit që kishin shprehur në atë kohë edhe ndërkombëtarët dy vitet e para, taksa e re solli bum të të ardhurave në buxhetin e shtetit me rritje vjetore deri në 20 për qind, e ndihmuar edhe nga rritja e fortë e cmimeve, që i mundësonin qeverisë të mblidhte më shumë para. Por periudha e artë e buxhetit përfundoi shumë shpejt.

Pas vitit 2008, të ardhurat ngecën dhe taksa e sheshtë nuk prodhoi më të ardhura shtesë për qeverinë. Por ndërsa qeveria nuk mund të mblidhte dot më shumë para, shpenzimet e saj të diktuara nga influencat elektorale dhe kriza e përbotshme rriteshin në mënyrë të pandalshme duke i vënë financat e shtetit në gjendje të vështirë. Faktori takse e sheshte nuk eshte shkaktari kryesor po edhe i rritjes se borxhit.

Ndërsa të ardhurat janë rritur me 37 miliardë lekë, shpenzimet janë rritur gati dy herë më shumë. Qeveria është detyruar ta financojë diferencën me kredi, duke rritur borxhin e shqipërisë. Pyetja që lind është kush është përgjegjësi për rritjen e borxhit, taksa e ulët 10 për qind apo shpenzimet e larta për zgjedhje. Vetë ekspertët më të mirë të maxhorancës pranojnë se taksa 10% nuk mund të përballojë nivel më të lartë shpenzimesh se sa 30 për qind e GDP.

Nëse qeveria shpenzon më shumë se kaq, borxhi i vendit rritet automatikisht. Por në vitin 2009, shpenzimet e buxhetit cekën nivelin në 34 për qind dhe borxhi fluturoi. Por a ishte ky vetëm një rast i izoluar, që u diktua nga zgjedhjet apo një tendencë që nuk mund të ndalet. Më shumë se 80 për qind e shpenzimeve të buxhetit janë shpenzime korrente, që përfshijnë paga, pensione, interesat e borxhit dhe shpenzime për mbrojtjen sociale.

Që nga viti 2007 shpenzimet e këtyre zërave të udhëhequra nga pensionet, janë rritur me mbi 46 miliardë lekë. Vetëm rritja e këtyre zërave është 7 miliardë lekë më e madhe se sa të ardhurat shtesë që ka mbledhur qeveria nga taksa e sheshtë. Dhe fakti është se të ndalësh rritjen e tyre është një mision gati i pamundur.

Së fundmi financat e vendit po ndjejnë pasojat edhe të një faktori tjetër. Rrugës Durrës-Kukës, kostoja e të cilës nuk ndalet dhe që buxheti do ta ndjejë edhe për tre ose katër vitet e ardhshme. Edhe këtë vit, në 5 muajt e parë Bechtel Enka morën nga qeveria 100 milionë dollarë të tjera, punime për tunelin.

Në kushtet kur rritja ekonomike ngadalësohet, ashtu sikur po ndodh këto tre vitet e fundit, gjendja e financave përkeqësohet edhe më. Në fund të gjithë kësaj panorame, qeveria ka vënë një bast. Atë se do i stabilizojë financat pa rritur taksat. Por ashtu sikurse i tha dhe FMN, për këtë i duhet të zgjedhë mes dy masave të tjera po kaq të dhimbshme. Të ngrijë pagat dhe pensionet, ose të cënojë investimet ose te rrit taksat.Të treja me kosto si ekonomike ashtu dhe politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA