PD përshëndet vendimin e Kolegjit

09/06/2011 19:55

Partia Demokratike ka përshëndetur zbardhjen në kohë të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, me argumente që sipas saj treguan se ky vendim është bazuar në ligj.

“Shpreh vlerësimin tonë për zbardhjen brenda afatit ligjor të vendimit nga Kolegji Zgjedhor. Argumentet dëshmojnë se ky vendim është marrë në baza ligjore dhe jo në bazë të interesit politk”, ka deklaruar zëdhënësja Jorida Tabaku.

Nga ana tjetër, ajo ka theksuar sërish se me qëndrimet e tij, kreu socialist Edi Rama po vijon presionin ndaj trupës zgjedhore.

“Ndërkohë, pala tjetër ka ndërmarrë një fushatë presionesh. Është e rëndësishme të risjellim në kujtesë se zoti Rama nuk i është përgjigjur pyetjes: Përse nuk donte ai që vota e cdo qytetari të numërohej?”, është shprehur Tabaku.

Më tej ajo ka falenderuar qytetarët e Tiranës për durimin e treguar me pritjen e përfundimit të procesit zgjedhor për Tiranën.

Top Channel