
Vendimi i zbardhur i datës 3 qershor përmban argumentat pse Kolegji Zgjedhor e konsideroi të pambështetur kërkesë-padinë e Partisë Socialiste për fletët e hedhura në kutinë e gabuar. (UPDATE)
Ndërkohë që Kolegji ka vlerësuar si të drejta argumentat e Partisë Demokratike dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste i kërkoi kolegjit të shpallë absolutisht të pavlefshëm vendimin datës 23 maj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vlerësimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar. E njëjta gjë për këtë vendim, i cili u mor më 18 maj, duke i hapur rrugë këqyrjes së këtyre fletëve.
Por kolegji, në vendimin e tij cmon se nga proces-verbali i kësaj mbledhje nuk rezulton të ekzistojë një akt vendimmarrjeje “me tërësinë e elementëve formalë, të nevojshëm për identifikimin dhe referencën e vendimit”.
Duke iu rikthyer vendimit përfundimtar të datës 23 maj, Kolegji thotë se ky nuk ishte një akt normativ, sic pretendon Partia Socialiste. Duke argumentuar pse ky ishte një akt i thjeshtë individual, për të cilin duheshin vetëm 4 vota, Kolegji thotë se efektet e aktit nuk shtrihen as në të gjitha KZAZ-të e njësisë zgjedhore Bashkia Tiranë, as në territorin e Republikës.
Sipas Kolegjit KQZ është vënë në lëvizje vetëm për nëntë KZAZ, nga 11 që ka Bashkia e Tiranës. Kolegji i jep të drejtë KQZ kur thotë se legjitimohet të kryejë kompetencat e KZAZ-së, sipas përcaktimeve të nenit 33 të Kodit Zgjedhor, duke hedhur poshtë pretendimin e Partisë Socialiste se KQZ nuk e ka këtë të drejtë.
Kolegji thotë se KQZ është organ epror i administratës zgjedhore dhe si i tillë ushtron kompetencat e organeve të varësisë, në rastet kur ato nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre. Mbi bazën e kësaj cilësie KZAZ-të i janë drejtuar KQZ-së për zgjidhjen e një situate konkrete të krijuar gjatë procesit paszgjedhor, e patrajtuar më parë dhe e parregulluar me akte të mëparshme nënligjore.
Kolegji vë re se ligji në asnjë dispozitë të tij nuk e ndalon vlerësimin dhe numërimin e një sasie të caktuar votash, qofshin këto të hedhura në kutinë e gabuar. Kolegji argumenton se është detyrim kushtetues i KQZ-së të numërojë dhe të vlerësojë cdo votë. Po ashtu Kolegji mendon se KQZ nuk i ka ndryshuar rregullat e lojës pas përfundimit të procesit.
Partia Socialiste si palë paditëse, thotë Kolegji, nuk paraqiti si provë asnjë akt apo udhëzim shkresor të KQZ-së ku situata të tilla të jenë rregulluar më parë në një mënyrë të ndryshme nga vendimi datës 23 maj.
Top Channel