Në një dilemë të madhe kanë cuar zhvillimet e fundit në Greqi kryeministrin Papandreu dhe kabinetin e tij.

Pas një mbledhje maratonë prej më shumë se tetë orësh, akoma edhe ministrat e qeverisë së tij kanë kundërshtuar disa prej masave të Memorandumit të Dytë të Ndihmës, që konsiderohen si më të ashprat që janë shpallur ndonjëherë.

Nga ana tjetër shumë deputetë socialistë kanë paralajmëruar kryeministrin grek se nuk do të votojnë në parlament në 29 qershor masat e reja me vlere 6.4 miliard euro, të cilat cojnë vendin disa dekada pas, përsa i përket nivelit të jetesës dhe të drejtave të punësimit.

Mbi të gjitha ,”Lëvizja e të Indinjuarve”, që nxorri në rrugë ditën e dielë mbi 100 mijë qytetarë nga i gjithë vendi, ka bërë që vetë kryeministri grek, të bëjë autokritikë dhe të lërë të hapur alternativën e një referendumi popullor, nëse vendi do t’i pranojë këto masa, si shkëmbim i dhënies së këstit të pestë të ndihmës prej 110 miliard eurosh si dhe aprovimin e një ndihme të re me vlerë prej 75 miliard euro në muajt e ardhshëm.

Nga njëra ana Athina shpreson në realizmin e udhëheqësve europianë që shohin udhëkryq në Greqi me zbatimin e masave të reja që mund të sjellin trazira sociale të papara ndonjëherë në Europë dhe nga ana tjetër, europianët shpresojnë në vendosmërinë e Papandreut për të vazhduar reformat dhe programin e ashpër financiar.

Humbja e Sokrates në Portugali, ishte shembulli më i qartë se qytetarët dënojnë këdo qeveri që kërkon ndihmë nga FMN dhe shpall masa në kurriz të popullit, madje edhe kur alternativat janë tepër të pakta. Ashtu sic shkruan edhe Bloomberg, tashmë Papandreu ka ngelur kryeministri i fundit në vendet e BE-së që po kalojnë krizën ekonomike si Portugalia, Irlanda dhe Spanja.

Top Channel