Korçë, ndjekje penale mjekëve

05/06/2011 14:15

Një ditë pas vdekjes së 49-vjeçares Fatbardha Aliko në tualetin e maternitetit të Korçës, për mjekët ka nisur ndjekja penale.

Prokuroria e rrethit Korçë nisi hetimet nën akuzën për mjekim të pakujdesshëm ndaj të gjithë stafit që ka asistuar në operimin e viktimës dhe në trajtimin e saj mjekësor gjatë ditëve të qëndrimit në maternitet.

Përmes një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Policisë së qarkut Korçë bëri të ditur se për mjekët e maternitetit ka nisur procedimin penal në bazë të dyshimeve për mjekim të pakujdesshëm. Dyshohet se viktimës i janë përhapur metastaza pas operacionit ndërkohë që ende nuk ka një përgjigje shkresore të raportit mjeko-ligjor.

Një ditë më parë, ekspertë të mjekësisë ligjore nga Tirana asistuan në autopsinë e 49-vjeçares duke marrë kampionë për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes përmes analizave laboratorike. Nga hetimet paraprake ka dyshime për mjekim të pakujdesshëm dhe ka nisur marrja në pyetje e mjekëve që kanë kryer operacionin dhe stafit mjekësor.

Ky nuk është rasti i parë për stafin mjekësor të këtij spitali. Për të disatën herë me radhë mjekët e Korçës i janë nënshtruar ndjekjeve penale për akuza të mjekimeve dhe ndërhyrjeve të gabuara ndaj pacientëve të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA