Integrimi, Topi: Ende sfida përpara

03/06/2011 14:45

Kreu i shtetit Bamir Topi deklaron se pavarësisht përmbushjes së
standardeve kryesore për anëtarësimin në BE, ka ende sfida të mëdha që
duhen përballuar.

Megjithatë, presidenti Topi thekson se klasa politike është e fokusuar ndaj objektivit për integrimin e vendit, duke shfaqur besimin dhe optimizmin, se marrja e statusit kandidat nga Shqipëria për në BE, do të ndodhë në një moment kohor të afërt.

Këtë qëndrim presidenti Topi e ka dhënë gjatë një takimi të sotëm me ministrin e jashtëm të Integrimit Evropian të Malit të Zi, Milan Roçen, i cili ndodhet për vizitë në vendin tonë.

Sipas informacionit zyrtar të shpërndarë nga Presidenca, bashkëbiseduesit u ndalën në klimën dhe mundësitë e bashkëpunimit në rajonin ballkanik, sidomos sa i përket evoluimit dhe konkretizimit të projekteve të ndryshme të zhvillimit ekonomik në fusha si infrastruktura e përbashkët, turizmi, ekosistemi.

“Ne kemi një perspektivë të qartë e të përbashkët euroatlantike dhe kjo na shërben si një motiv dhe si një ndër shtyllat kryesore të bashkëpunimit dhe të komunikimit mes vendeve dhe popujve të Ballkanit për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët të paqtë, të sigurt e të begatë”, tha Topi.

Nga ana e tij, Ministri Roçen, vuri në dukje nevojën për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh të vendeve të Ballkanit me synim përmbushjen e aspiratave integruese të vendeve tona në strukturat euro-atlantike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA