Rrëmbimi Griseldës, hetimet mbi mjekët e taksistin

02/06/2011 00:35

Mbi 25 persona janë shoqëruar në Drejtorine e Policisë së Tiranës në vijim të hetimeve për Griselda Roshin dhe fëmijën e saj të lindur sipas nënës së re nën kushte dhune, i cili ende nuk dihet se ku ndodhet dhe nëse është në jetë apo jo. (UPDATE)

Por ndërsa hetimet kryesohen nga prokurori i Krimeve të Rënda Enrik Ligori dhe drejtues të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, për këtë ngjarje ende nuk ka një version zyrtar mbi pistat ku po hetohet, pavarësisht deklarimeve të zonjës Roshi se është rrëmbyer, dhunuar e më pas detyruar të lindeë me ndihmën e një shiringe stimuluese.

Megjithate jozyrtarisht mësohet se mes të shoqëruarve ndodhen edhe dy taksistë, njëri prej të cilëve i dyshuar si personi që ka transportuar 29 vjecaren natën kur ajo deklaron se është rrëmbyer, ndërsa tjetri si një ndër personat që e ka dërguar në klinikë.

Në orët e vona të së merkures Policia e Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë zbuloi edhe një klinikë private, të fshehur diku në afërsi të Maternitetit të Ri, si vendin ku dyshohet se është kryer ndërhyrja.

Për shkak të sekretit hetimor dhe intensitetit të personave që janë pyetur përreth vendit ku Griselda pohon se është rrëmbyer, grupi hetimor ka ruajtur në maksimum të dhënat e hetimit, pavarësisht sensibilitetit të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të padëgjuar më parë në vend.

Megjithatë zërat jozyrtarë brenda grupit të hetimit pohuan se janë shoqëruar edhe mjekët e klinikës private ku dyshohet se është bërë ndërhyrja.

Deri vonë Policia e Tiranës ka vijuar punën për zbardhjen e ngjarjes së denoncuar së pari në orët e mëngjesit nga kunati i Griseldës, ndërsa shtëpia e prindërve të ciftit në Kavajë ka qendruar po deri në orët e vona të natës e rrethuar nga banorë të shumtë kavajas.

Në mbrëmje shtëpinë e kryebashkiakut të ri të qytetit, Elvis Roshi, bashkëshorti i Griseldës, e ka vizituar edhe kryesocialisti Edi Rama me bashkëshorten si dhe deputetë socialistë të cilët kanë qendruar për mëse një orë në bisedë me familjarët.

Top Channel