Një individ që ka kursime mund t’i investojë ato në disa mënyra. Nëse
nuk ka aktivitet biznesi, atëherë rruga më e mirë sipas ekspertëve është
ajo e investimeve në sistemin financiar ose në formën e depozitave
pranë bankave ose në letra me vlerë të qeverisë.
Por cila alternativë është më e leverdishme aktualisht? Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se interesat e depozitave që bankat ofrojnë kanë ardhur në rënie përgjatë gjithë vitit. Sipas të dhënave në prill, norma mesatare e interesit për depozitat me afat njëvjecar në lekë ishte 5.9 për qind.
Krahasuar me prillin e vitit të kaluar interesat për depozitat një vjecare kanë rënë me rreth 0.7 pikë përqindje. Të dhënat tregojnë se interesat janë ulur për depozitat e të gjitha afatave të maturimit, edhe për ato më shumë se një vit. Por ndërsa interesat e depozitave janë ulur, ai i letrave me vlerë ka një prirje në rritje.
Sipas të dhënave aktualisht interesi i bonove të thesarit me afat maturimi një vecar është 7.4 për qind ose 1.5 pikë përqindje më i lartë se ai i depozitave një-vjecare. Kjo do të thotë se për një individ që kursen 1 milionë lekë, nëse do i investojë kursimet e veta në llogari bankare do të përfitojë një interes prej 59 mijë lekësh. Por nëse të njëtën shumë do e investonte në bono thesari, atëherë ai do të përfitonte nga interesat rreth 74 mijë lekë ose 15 mijë lekë më shumë.
Muajt e fundit bonot e thesarit po shndërrohen sërish në një alternative shumë e leverdishme investimi se sa depozitat për shkak se hendeku i interesave mes këtyre dy instrumentave të kursimit ka ardhur duke u thelluar në favor të bonove.
Top Channel