Topi: Institucionet të mbështesin ish të përndjekurit

01/06/2011 11:15

Presidenti i vendit Bamir Topi kërkoi nga institucionet kryesore në vend,
të nderojnë ashtu sic duhet klasën e të përndjekurve, duke realizuar sa
më parë skemën e kompensimit dhe mbështetjes në shumë drejtime, të kësaj
pjese të shoqërisë.

“Duhet të lihen pas elementë segmentarë dhe politika duhet të bëjë atë që duhet për të përndjekurit”, tha Topi.

Deklarata e Presidentit u dha pas homazheve që bëri në seline e ish te Përndjekurve dhe te Burgosurve Politikë, për Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën, dy të rinj të pushkatuar pa gjyq në vitin 1984, eshtrat e të cilëve u gjetën pak ditë më parë  në fshatin Kuc të Shkodrës.

Para kreut të vendit homazhe kreu edhe kryeparlamentarja Topalli, e cila ndër të tjera i quajti ‘hipokrizi’ dekorimet e disa personave, të njohur si ekzekutes të kundërshtarëve të regjimit. Nga ana e tij, presidenti Topi, iu përgjigj interesimit të gazetarëve për këtë deklaratë me nëntekst të Topallit, duke e konsideruar ate si të gabuar.

“Asnjehere institucioni i presidentit nuk ben dekorime me iniciativa personale. Propozimet vijnë në rrugë zyrtare përmes institucioneve të tjera”, tha Topi, i cili vuri ne dukje se ai vete eshte nje pjestar, i nje familjeje te perndjekur.

Ndërkohë homazhe kreu edhe kryeministri Sali Berisha, i cili shprehu nderimin dhe përuljen para martirëve të demokracisë që u ekzekutuan nga regjimi barbar për fjalën e lirë dhe besimin te Zoti. “Shpreh nderimin për familjet e tyre dhe për të gjithë ata që sakrifikuan me vite burg e internime për vlerat më të arrira njerëzore të shoqërisë”, tha Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA