Është nisur drejt Tiranës, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjiore, bashkëshortja e kryetarit të bashkisë së Kavajës, Griselda Rroshi.
28-vjecarja ka kaluar një eksperiencë makabër, pasi u rrëmbye ditën e djeshme nga një grup personash dhe pasi u dhunua, u detyrua të lindte fëmijën e saj në një vend të fshehtë, në kushte të vështira.
Pasi lindi, e shokuar, e rrahur dhe e gjakosur ajo u hodh në orët e para të mëngjesit nga pengmarrësit e saj rreth 50 metra larg shtëpisë së saj në Kavajë.
Për momentin nuk dihet ende vendi i saktë se ku gruaja, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, ka lindur fëmijën e saj dhe as fati i foshnjës, që të premten ishte planifikuar të lindte në maternitetin e Tiranës.
Për zbardhjen e ngjarjes Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë ngritur një grup të posacëm hetimor, të drejtuar nga prokurori Henrik Ligori dhe ekspertë të seksionit të kriminales.
Ngjarja, që mund të cilësohet si një akt horror, ka tronditur banorët e qytezës së Kavajës dhe të gjithë opinionin publik në vend.
“Unë nuk di c’të them, këtë nuk ka kriminel që ta bëjë. Ajo është e sfilitur. Nuk kemi fjalë ta shprehim”, tha një komshi i familjes Roshi.
Top Channel