2009-2011, dy KQZ

01/06/2011 16:20

Ditën e premte, më datë 3 qershor, Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë një
kërkesë ankimore, shumë të rëndësishme për rezultatin e Tiranës.

Partia Socialiste i ka kërkuar Kolegjit që të shpallë të pavlefshme procedurat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vlerësimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. KQZ, me votat e katër anëtarëve në shumicë, e nxori rezultatin për Bashkinë e Tiranës vetëm pas vlerësimit të këtyre fletëve. Ndërkohë që pakica, duke cituar nenin 123 të kodit zgjedhor, i kishte kërkuar KQZ-së ta nxirrte rezultatin për Tiranën, duke u bazuar vetëm në tabelat përmbledhëse të KZAZ-ve të Tiranës. Në rastin e vlerësimit të votave, pakica argumentoi se KQZ po digjte procedurat, që i takonin fazës ankimore. Shumica nga ana e saj, argumentoi se KQZ po vepronte si një super KZAZ.

Gati dy vjet më parë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, KQZ kishte një rast të ngjashëm: nxjerrjen e rezultatit për qarkun e Fierit. Kur KQZ, nxjerr rezultatin përfundimtar të qarkut në zgjedhjet parlamentare, KQZ vepron njësoj si në rastin e nxjerrjes së rezultatit për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale. Qarku i Fierit ka 7 KZAZ. Në vitin 2009, 5 prej tyre pas asnjë argument, kishin lënë jashtë tabelave përmbledhëse të KZAZ-ve, tabelat përmbledhëse të 9 qendrave të votimit. Cështja diskutohej në KQZ dhe shumica në atë kohë, arsyetonte se megjithëse vendimi i KZAZ-ve ishte i padrejtë, KQZ nuk mund të bënte asgjë, sepse neni 123 i kodit i lidhte duart.

Të kontaktuar me telefon nga Top Channel, përfaqësues të Partisë Demokratike të pranishëm në këtë mbledhje, argumentuan se ndryshimi mes Tiranës dhe Fierit qëndron në faktin se në Fier ishin numëruar të gjitha votat.

Kurse në Tiranë, votat e hedhura në kutitë e gabuara, nuk ishin përllogaritur në rezultat. Të premten Kolegji do të vendosë nëse ky argument i Partisë Demokratike qëndron, apo sic thotë Partia Socialiste, vlerësimi i votave të hedhura gabim duhej bërë gjatë procesit ankimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA