Projektbuxheti, nisin negociata, mungojnë të ardhurat

31/05/2011 08:00

Brenda muajit qershor, Ministria e Financave duhet të përgatisë projektbuxhetin shtesë për këtë vit, ku parashikohen rregullime në planin e ri të shpenzimeve dhe një rishikim programi te të ardhurat.

Por situata financiare në arkën e shtetit nuk garanton rritje investimesh, apo masa të reja në politikën e pagave dhe pensioneve, sikurse ka premtuar Kryeministri.

Të ardhurat në buxhet nuk janë në nivelin e duhur, kurse shpenzimet në katër muajt e parë të vitit kanë pësuar një rritje të madhe, duke ndikuar në përkeqësimin e deficitit buxhetor.

Për këtë arsye, Ministria e Financave po tregohet e kujdesshme dhe me shumë imtësi po mundohet të gjejë burime alternative financimi për të mbështetur kërkesën e Kryeministrit për rritje të re pagash dhe pensionesh.

“Nuk kemi marrë asnjë vendim, po rishikojmë tabelat, në bazë të kërkesave që kanë ardhur nga ministritë dhe institucionet e tjera. Duhet të presim edhe një pjesë të muajit qershor, për të parë më konkretisht nivelin e të ardhurave, dhe pastaj vendosim piketat e planit të ri buxhetor”, saktësojnë burime të Ministrisë së Financave.

Situata me të ardhurat deri në muajin prill paraqitet në nivel tepër negativ, ku jo vetëm që nuk është realizuar në planin vjetor, por nuk është mundur të arrihet as kuota e vitit të kaluar.

Të ardhurat tatimore rezultojnë me më pak se 50 milionë dollarë, krahasuar me një vit më parë, për periudhën janar-prill. Pavarësisht se nuk është mbyllur ende, parashikimet flasin për një tjetër muaj negativ.

Në maj, tatimet raportojnë për një gjendje pesimiste të bizneseve, ku një pjesë e mirë nuk kanë mundur të bëjnë deklaratat tatimore në kohë, duke konfirmuar krizën e sektorit.

“Projektbuxheti varet tërësisht nga niveli i të ardhurave. Në rast se vijojnë me këto ritme, atëherë është e pashmangshme një shkurtim i shpenzimeve në ata sektorë ku investimet nuk kanë ecur sipas planit. Kjo manovër do të na japë mundësi t’i drejtojmë fondet tek objektet më të avancuara”, sqarojnë për “Shqip”, burime të sigurta pranë Ministrisë së Financave.

Deri në fund të muajit prill 2011, qeveria ka mundur të mbledhë 103 miliardë e 666 milionë, nivel ky që i qëndron shumë larg planit të vendosur nga Ministria e Financave, ndërsa për të gjithë vitin duhet të arkëtojë rreth 360 miliardë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA