Masakër gabimisht

31/05/2011 18:50

Ndoshta Shijaku nuk ka qenë asnjëherë i qetë, por me tragjeditë askush nuk mund të mësohet!

Skena e krimit është vendi i quajtur kryqëzimi i katër rrugëve të Shijakut. Gjatë ditës ky vend duket i qetë, të gjithë të zënë me punët e tyre, por jo më larg se të mërkurën e 25 Majit, në këtë vend ndodhi një masakër e mirëfilltë.

Emiljano Tema kishte zënë pozicion i vendosur pikërisht përballë drejtimit të Durrësit. Priste një fuoristradë targa e së cilës fillonte me dy gërmat AA. Gjatë ditës ishte konfliktuar, kishte shkëmbyer fyerje dhe kishte vendosur të shkrepte armën, të cilën e kishte marrë në banesën e tij shumë pranë vendit të ngjarjes.

Në orën 21 e 30 minuta, nga Durrësi vjen një fuoristradë, bën rrethrrotullimin dhe afrohet deri në 5 metra me Emiljano Temën, i cili në atë çast shkarkon me breshëri të gjithë karikatorin e kallashnikovit. Makina ishte identike me atë që kishte ndërmend, targa dukej shumë e ngjashme. Sipas burimeve jo zyrtare, Emiljano Tema shkon në shtëpi, qëndron për rreth 20 minuta dhe krejtësisht i qetë niset për në Durrës. Në makinën drejt së cilës ai shkrepi armën ndodheshin katër persona.

Por, asnjëri prej këtyre katër shtetasve nuk ishte konfliktuar me Temën. Personat që ky i fundit kërkonte ndodheshin në banesat e tyre. Makina e objektivit të tij kishte të njëjtin model dhe targa fillonte po me gërmat AA. Ndërkohë, të katërt që ndodheshin në makinën e koinçidencës fatkeqe u dëmtuan rëndë. Blerim Kërtalli dhe Mariglen Avdullai humbën jetën.

Në Shijak mbizotëron një “omerta” e fortë. Askush nuk tregon mbi ngjarjen, familjarët e viktimave janë të tronditur ndërsa objektivi fillestar i Emiljano Temës nuk dëshiron ta rikujtojë ngjarjen. Në Spitalin e Durrësit jane ende Altin Avdyli dhe Altin Brahimaj. Në katin e dytë të këtij spitali familjarët rrinë me turne ndërkohë që nuk kuptojnë kotësinë e kësaj masakre.

Por, kjo tragjedi është e dyta brenda një muaji në rrethin e Durrësit ku një person vritet gabimisht. Në të dy rastet vrasësit kanë pranuar lehtë krimin dhe janë vënë menjëherë në pranga.

Top Channel