KQZ: Do të hapen edhe 26 kuti

31/05/2011 19:50

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar edhe sot me shqyrtimin e 4 kërkesave ankimore që synojnë në thelb ndryshimin e rezultatit për Tiranën. (UPDATE)

Një kërkesë është paraqitur nga Partia Demokratike, 2 nga Partia Socialiste dhe një nga Partia e Pensionistëve.

Meqë Partia Demokratike kërkon një rivlerësim total të të gjitha fletëve të kontestuara, KQZ miratoi marrjen në shqyrtim të procesverbaleve të 26 qendrave të reja.

Këto i shtohen 117 qendrave të votimit ku u gjetën fletë të hedhura në kutitë e gabuara, të cilat KQZ i shqyrtoi ditët e shkuara.

Por edhe në 26 qendrat e reja të përfshira në kërkesën e Partisë Demokratike, fletët e kontestuara janë vlerësuar njëherë nga KZAZ-të përkatëse.

Vetëm se Partia Demokratike mendon se vlerësimi i tyre nuk ka qenë i drejtë, ndaj i kërkon KQZ-së rivlerësim total për të gjitha fletët e kontestuara në 143 qendra votimi në Tiranë.

Pas shqyrtimit të librave të protokollit të 26 qendrave të reja, KQZ duhet t’i përgjigjet edhe kërkesës së Partisë Socialiste, që kërkon pavlefshmëri për tabelën përmbledhëse të njësisë 5 dhe për tabelën përmbledhëse të krejt bashkisë Tiranë, tabela përmbledhëse që KQZ i hartoi përpara disa ditëve, pas vlerësimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara.

Top Channel