Amnistia, nis verifikimi për 4612 zyrtarë

28/05/2011 08:00

Prej disa ditësh ka hyrë në fuqi ligji “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, dhe për këtë shkak, institucionet e linjës që mbulojnë procesin kanë nisur punën për zbatimin e projektit.

Pikë e rëndësishme e procesit është shmangia e një kategorie të caktuar të punonjësve të shtetit nga amnistia fiskale.

Në ligj thuhet qartë se nga falja e detyrimeve tatimore dhe doganore janë të përjashtuar të gjithë zyrtarët që janë pjesë e deklarimit të pasurisë në ILDKP, institucioni që verifikon dhe lufton konfliktin e interesit dhe pasurinë e vendosur në mënyra të jashtëligjshme.

Burime zyrtare nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë deklarojnë për “Shqip” se pranë institucionit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) të biznesit është dërguar lista me emrat e zyrtarëve të shtetit, duke nisur nga Presidenti, Kryeministri dhe ministrat, e deri në rang drejtorësh, sipas përcaktimeve që jep ligji.

Lista përmban 4612 persona, të cilët duhen verifikuar nëse kanë konflikte interesi apo janë të lidhur me subjektet private.

Çdo biznes që kërkon të jetë pjesë e amnistisë nuk duhet të ketë lidhje me drejtues të qeverisë, politikanë, zyrtarë të tjerë, përfshi edhe më të afërmit e tyre (bashkëshortja dhe fëmijët).

Brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij ligji, ILDKP i dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, bashkive dhe komunave, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit, si dhe QKR listën e zyrtarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarim të pasurisë për periudhën e zbatimit të ligjit.

Ligji ka hyrë në fuqi më 18 maj, kështu që sot është afati i fundit për dërgimin e listës, që sipas ILDK-së u zbatua.

Top Channel