PS tërheq një kërkesë në Kolegj

27/05/2011 12:50

Beteja për Tiranën shënoi një kthesë të papritur në Kolegjin Zgjedhor.
Partia Socialiste kishte ankimuar vendimin e datës 18 maj të KQZ-se që i
hapte rrugë vlerësimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara.

Por këtë vendim Komisioni e kishte miratuar në parim vetëm me votat e shumicës. Pjesa urdhërore e këtij vendimi mungonte, pra në pjesën ku shkruhej “KQZ vendosi”, nuk kishte asgjë, vec një vizë. Kryetari i KQZ-së argumentoi atëhere se ky ishte një vendim i ndërmjetëm. Në fund të vlerësimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara, KQZ mori vendimin përfundimtar. Të dy këto vendime, edhe atë të ndërmjetmin, edhe përfundimtarin, Partia Socialiste i ka ankimuar në Kolegj.

Të premten avokatët e Partisë Socialiste kërkuan bashkimin e të dy cështjeve, por Kolegji Zgjedhor e hodhi poshtë kërkesën. Kryesuesja e seancës, gjyqtarja Sanshenka Jonuzi argumentoi se Kolegji ende nuk ka hedhur short dhe për pasojë ende nuk e ka relatuar ankesën e dytë të Partisë Socialiste.

Në këto kushte, avokatët e Partisë Socialiste kërkuan pushimin e cështjes. Kolegji e pranoi kërkesën. Në këto kushte ankesa e Partisë Socialiste për vendimin e ndërmjetëm të KQZ-së të datës 18 maj nuk u mor fare në shqyrtim. Ndërkohë që ende nuk është përcaktuar data për shqyrtimin e kërkesës tjetër ankimore për vendimin përfundimtar. Përvec ankimimit të vendimeve që kanë të bëjnë me vlerësimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara, Partia Socialiste ka depozituar, kësaj here pranë KQZ-së, ankimim për hartimin e tabelës përmbledhëse të njësisë bashkiake nr 5 dhe një tjetër, për hartimin e tabelës përmbledhëse të krejt bashkisë së Tiranës, që shpalli fitues kandidatin Lulzim Basha. Beteja ligjore për Tiranën premton të jetë e gjatë.  

Top Channel