IFC: Nga Miloti në Morinë, rruga me taksë brenda 2012-s

27/05/2011 08:00

Një pjesë e mirë e rrugës Durrës-Kukës do t’i jepet me koncesion një shoqërie private, e specializuar në mirëmbajtjen e autostradave.

Duke nisur nga Miloti në Rrëshen, aks i ndërtuar me fondet e Bankës Botërore, dhe më pas nga Rrësheni në Kalimash dhe deri në Morinë, pra e gjithë autostrada që prek këto linja do të përshkohen mbi bazën e një pagese, e cila nuk është caktuar ende.

Gazeta “Shqip” zbardh një pjesë të projektit të qeverisë shqiptare me IFC-në, degë tregtare e Bankës Botërore, me anë të intervistës realizuar me ekspertët që janë kontraktuar për të realizuar projektin.

Kur është firmosur marrëveshja me qeverinë shqiptare, d.m.th me Ministrinë e Transportit dhe ku konsiston ajo?

Marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe IFC-së është firmosur në janar të vitit 2011.

Qëllimi ynë kryesor është të ndihmojmë qeverinë duke organizuar një proces tenderimi transparent dhe konkurrues për përzgjedhjen e kompanisë private të kualifikuar për përmirësimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e autostradës bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

IFC, anëtar i Grupit të Bankës Botërore, ka një përvojë të njohur si këshilltar kryesor në fushën e partneriteteve publike-private në infrastrukturë, falë eksperiencës në vende të ndryshme dhe reputacionit të saj për paanshmëri dhe transparencë.

Misioni i IFC-së është nxitja e investimeve të qëndrueshme të sektorit privat në vendet në zhvillim.

Si u arrit lidhja e marrëveshjes, a keni pasur kontakte më herët për projektin dhe si u prit nga ana e IFC-së kërkesa për zbatimin e tij?

Qeveria i kërkoi IFC-së që ta ndihmonte për përzgjedhjen e operatorit privat për autostradën. IFC-ja nuk ka pasur asnjë kontakt me qeverinë sa i përket projektit Milot-Morinë më parë.  
Megjithatë, Banka Botërore (IBRD) ka financuar ndërtimin e një segmenti të rrugës Milot-Rrëshen.

Pasi morëm në konsideratë ndikimin pozitiv të mundshëm të këtij projekti në Shqipëri, ne ramë dakord të firmosim marrëveshjen dhe të ndihmojmë qeverinë.  

Sa parashikohet të jetë niveli i taksës së rrugës? Çfarë procedure do të ndjekë IFC-ja për gjetjen e “formulës” së duhur dhe si do të realizohet projekti?

IFC-ja po bën një studim të përgjithshëm, për të parë mundësitë se si mund të përmirësohet, funksionojë dhe mirëmbahet rruga dhe se si mund të futet taksa e rrugës si një nga zgjidhjet e mundshme. Akoma nuk kemi arritur në një konkluzion përfundimtar dhe niveli i taksës nuk është përcaktuar ende.

Kjo do të përcaktohet pas disa muajsh, në vijim të analizës së projektit të propozuar, intervistat në rrugë me shoferë të rastësishëm, analiza të mundësisë së pagesës dhe dëshirës për të paguar, si edhe krahasime të këtyre analizave dhe rezultateve me praktikat më të mira ndërkombëtare.  

Në cilat akse do të aplikohet taksa, nëse mund ta themi paraprakisht? Tuneli do të ketë një tarifë të veçantë?

Pyetja këtu nuk shtrohet për vendndodhjen se ku do të paguhet taksa, por për cilin segment, d.m.th për tunelin, për rrugën apo për të dyja. Në vijim të pyetjes së mësipërme, tani për tani është pak shpejt për të përcaktuar se për cilin segment do të zbatohet taksa e rrugës. IFC-ja po studion disa opsione, dhe pasi të ketë bërë analizën e tyre do t’i parashtrojë rekomandimet e saj qeverisë shqiptare, e cila do të marrë vendimin përfundimtar.

Duke vlerësuar investimin e rrugës Rrëshen-Kalimash me rreth 1 miliard USD, rezulton se të paktën në vit nevojiten për mirëmbajtjen e rrugës me e pakta 20 milionë USD. I keni marrë në konsideratë këto të dhëna, d.m.th, nga taksa që do të aplikohet, mbi bazën e trafikut, mund të gjenerohen këto të ardhura?

Është shumë shpejt për të përcaktuar shpenzimet vjetore për mirëmbajtjen dhe vënien në funksionim të rrugës, sepse këtu duhet të merren parasysh jo vetëm shpenzimet e ndërtimit, por edhe cilësia e shërbimit që duhet të ofrojë operatorit privat.

Një nga opsionet është që funksionimi dhe mirëmbajtja e rrugës do të mbulohet me paratë e mbledhura nga taksa e rrugës.

Të ardhurat nga taksa të cilat do të nevojiten për të mbuluar shpenzimet e funksionimit dhe të mirëmbajtjes së rrugës, do të bëhen të qarta vetëm pas përfundimit të analizës.

Kur mbyllet projekti dhe kur parashikohet të vendoset taksa për rrugën?

Bazuar në rezultatet e studimit dhe në vendimin e qeverisë, mendohet që operatori privat do të marrë përsipër funksionimin dhe mirëmbajtjen e rrugës përpara dimrit të 2012-s. Mendimi përfundimtar për taksën nuk është bërë ende, siç ju thamë edhe më parë.

Top Channel