PE: Shqipëria humbi shansin

25/05/2011 19:40

Pas Komisionit, edhe Parlamenti Europian ka arritur në konkluzionin se zgjedhjet lokale të tetë majit ishin një shans i humbur për Shqipërinë.

Kreu i delegaconit për Ballkanin, Eduard Kukan deklaroi së Shqipëria është në ngërc politik dhe zgjedhjet e fundit nuk ndihmuan që ta kalojë atë.

“Kam frikë dhe jam i shqetësuar se këto zgjedhje nuk do të ndihmojnë Shqipërinë që të kapërcejë ngërcin politik. E di që ngjan pesimiste. Skenari më i keq do të ishte vazhdimi i bllokimit politik.  E di që dukem pesimist dhe do të isha burri më i lumtur në botë nëse historia do të tregonte se unë do të mendoja gabim, sepse i dua më të mirën Shqipërisë dhe Shqiptarëve”, deklaroi Kukan.

Raportuesi për Shqipërinë, Nicolaos Chountis paralajmëroi një krizë shpërthyese për shkak të mbivendosjes së krizës poltike me atë ekonomike.

“Këto zgjedhje nuk holluan aspak krizën politike, përkundrazi i hodhën benzinë zjarrit, sic e tha dhe zoti Kukan. E ardhmja nuk duket rozë. Ka dhe një krizë ekonomike. Shqipëria po paguan e do paguajë kostot e krizës ekonomike brenda vendit e të fqinjve të saj dhe duke i shtuar krizës politike dhe atë ekonomike, gjykoj se kombinimi do të jetë shpërthyes”, theksoi Chountis.

“Vazhdimi i mbështetjes së pakushtezuar ndaj njërës palë, do të na bënte të inkurajonim palën tjetër që të përshkallëzonte edhe më shumë, e të kishim më pas dhunë, për të mos thënë luftë civile”, u shpreh pas tij Viktor Bostinaru, nënkryetar i delegacionit europarlamentar për Ballkanin.

Eurodeputeti tjetër grek, Georgios Koumoutsakos, që vëzhgoi zgjedhjet, u shpreh se procesi zgjedhor në Shqipëri nuk ka mbaruar, por standartet nuk u plotësuan dhe ai është dëmtuar përfundimisht.

“Shqipëria nuk është më një demokraci e brishtë, sepse ka qenë në demokraci për dekada dhe këtë fakt kohor nuk mund ta injorojmë në vlerësimet tona. Është e qartë se procesi demokratik që funksionon atje nuk është i duhuri, ka probleme, nëse ne e krahasojmë me kriteret dhe standartet tona. Mendoj se ne nuk kemi zgjedhje përvecse ta lëmë atë fare”, tha Koumoutsakos.

Delegacioni i posacëm vëzhgues për 8 majin raportoi në Komitetin e Jashtëm Europarlamentar, ku u debatua për standarte të dyfishta në zgjedhje, votë familjare, bojën zgjedhore, problemtaikën e rezultatit paraprak e atij përfundimtar të KQZ-së mbi kryetarin e bashkisë së Tiranës, nga fletët e paqarta të votimit deri tek presionet dhe tensionimi i situatës. Konkluzioni ishte se procesi zgjedhor nuk ka mbaruar, ai është dëmtuar e përfundimisht rezultati nuk është ende i besueshëm.

“Në disa raste vërejtëm votë familjare. Ne gjithashtu patëm përvojën e vonesave në hapje të qendrave të votimit dhe konfuzion në mbylljen e tyre”, vlerësoi Kukan.

“Vota familjare, ndryshe nga c’na u tha, ishte praktike që ekzistonte. Për ata që nuk e kuptojnë, shefi i familjes merr 3-4 karta identiteti e voton. Ne konstatuam se vendet e votimit ishin përzierë, ishin shumë pranë njëri-tjetrit, pra burrë-grua, apo babë e bir mund të votonin njëhkohësisht dhe t’i tregonin njëri-tjetrit se si. Të tjera, përdorej celulari, megjithëse thuhej se ishte e ndaluar në hyrje të qendrës së votimit. Por, lehtësisht njerëzit flisnin në fotografonin votën e vetme të tyre, ku lejohej vec një kryq për partinë e zgjedhur. Pra, pasi vendosej kryqi, bëhej foto me celular, që me pas i tregohej ndonjë anëtari të qendrës së votimit, ose punëdhënësit se për kë kishin votuar. Pamë gjithashtu se njerëzit kishin bojë në gisht. Na u tha se ishte bojë që nuk hiqej e që kjo do të thoshte se me këtë shenjë, individët nuk mund të lejoheshin që të votonin në qendra të tjera votimi. Kështu na e shpjeguan. Në të parën qendër votimi që vizituam, vumë re se njerëzit iknin pa këtë shenjë në gishtin e tyre. Pyetëm cfarë po ndodh kështu. E na thanë: “Oh, nuk mund ta shihni, është bojë e padukshme”. Por në praktikë, boja nuk ishte vënë. E provova me zotin Kukan këtë bojë. Më mori 10 minuta për ta hequr nga gishti im lehtësisht. Zoti Kukan nuk tentoi t’i lante duart”, tha Mihail Tremopoulos, eurodeputet grek nga të Gjelbërit.

“Herën e kaluar, kur socialistët kërkonin hapjen e kutive të votimit, zoti Berisha na tha se ishte e pamundur sepse ishte Kushtetuta që e ndalonte hapjen e cfarëdolloj kutie dhe ne e pranuam. Rroftë Kushtetuta! Duhet ta pranojmë atë si copën themeltare ligjore të një vendi. Por tani nuk duket se është ky rasti. Tjetra është se qeveria nuk kërkoi që të hapeshin kutitë për të gjitha qendrat e votimit në Tiranë, por vetëm disa prej tyre, madje më pak se kaq. U hapën vetëm ato kuti ku pretendohej se do të mbizotëronin fletët për vetëm një parti. E këtu dua t’ju bëj të qartë se procedurat janë tërësisht paprecedent. Pse? Sepse vetëm në një qendër votimi janë gjetur më shumë se 200 fletë votimi që kapërcejnë numrin e votuesve. Si ndodh kjo? Cfarë lloj mrekullie ndodhi në Tiranë?”, u shpreh më pas Bostinaru.

“Djalli gjendet në detaje. Pyes se si ka mundësi që fletët e votimit kishin të njëjtën ngjyrë, e që as nuk u konsultuan mbi këtë. Fletët e votimit duhet të kishin qenë ndryshe për kryetarin e bashkisë e ndryshe për këshillin bashkiak. Së dyti, si ka mundësi që zyrtarët e qendrës së votimit kanë lejuar që më shumë se një votë nga i njëjti votues të hidhej në të njëjtën kuti votimi? Nuk ka rëndësi nëse ishte votë më shumë për kryetarin apo për këshillin. Që këtu gabimi do të ishte shmangur. Së treti dhe kjo është shumë e rëndësishme për këtë parlament, unë nuk mendoj se i shërbejmë ndonjë qëllimi nëse bëhemi gjyqtar në favor të njërës palë apo tjetrës. Po bëmë këtë, atëherë do t’i hedhim benzinë zjarrit. Diskutimet pse tani kështu e pse atëherë ashtu për hapjen e kutive të votimit, duhet t’i lëmë mënjanë për autoritetet e duhura të drejtësisë. E shpresoj shumë që të paktën sistemi gjyqësor, të paktën, funksionon në Shqipëri. Të paktën. Për ndryshe përse të flasim ne për kandidaturën në Bashkimin Europian”, nënvizoi Kasoulides Ioannis, nënkryetar i PPE-së.

“Pjesa ligjore e bërthamës elektorale përfundimisht ngre disa pikëpyetje, por kjo u duhet lënë ekspertëve dhe institucioneve përkatëse. Por, stabiliteti apo destabiliteti i vendit do të jetë në duart e partive politike dhe udhëheqësve të tyre. Në këtë situatë ne, Parlamenti Europian, ndihmojmë vec nëse flasim njëzëri dhe ky zë duhet të jetë i koordinuar me Komisionin e Këshillin e BE-së, duke patur parasysh vetëm interesat e vendit dhe të qytetarëve”, deklaroi më tej Kukan.

“Dëgjuam për dhunim të ligjit zgjedhor në Shqipëri. E ky është vetëm një aspekt i problemit. Por në anën tjetër ka pasur dhe ka rrezik në pjesë të tjera të procesit cfarë nuk na mundëson që të kemi një rezultat përfundimtar të besueshëm”, shtoi Chountis.

Kjo ishte hera e parë ku eurodeputetët nuk u përcanë për të mbështetur me forcë qëndrimet e sugjeruara nga partitë simotra të Tiranës. Ndërsa socialistët europianë vijojnë të përdorin të njejtën gjuhë pro selisë rozë, të djathtët europianë shfaqen të zbutur dhe i referohen tashmë standartit apo zyrtarëve e diplomatëve europianë. Debatit i munguan komentet e eurodeputetes së djathtë gjermane, Doris Pack, e cila erdhi në Komitetin e Jashtëm vetëm pasi kishte përfunduar koha e diskutimit nga eurodeputetët.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA